Rast i pazakontë në një qendër votimi në Prishtinë - pjesëmarrje 100%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur fazën preliminare të numërimit të votave, duke procesuar të gjitha kutitë e votimit në vend.
Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk u raportua ndonjë incident serioz, ndërsa procesi zgjedhor, në përgjithësi, u vlerësua si i qetë dhe i menaxhuar mirë.
Megjithatë, një rast i veçantë në qendrën e votimit SH.F.M.U. “Emin Duraku” në Prishtinë ka ngritur pikëpyetje lidhur me të dhënat e pjesëmarrjes në votim, raporton Telegrafi.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, në këtë qendër janë regjistruar 3.814 votues, ndërsa numri i qytetarëve që kanë votuar rezulton po aq – 3.814, çka nënkupton një pjesëmarrje prej 100 për qind.
Një nivel i tillë i pjesëmarrjes është i pazakontë, pasi deri më tani nuk është raportuar asnjë qendër votimi në Kosovë me pjesëmarrje të plotë të votuesve të regjistruar.
Për këtë arsye, rasti mund të kërkojë verifikim shtesë për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një rast të rrallë të pjesëmarrjes së plotë apo për ndonjë pasaktësi teknike në raportimin e të dhënave.
Megjithëse procesimi i vendvotimeve ka përfunduar, rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e numërimit dhe verifikimit të votave me kusht, votave nga diaspora dhe procedurave të tjera të parapara nga KQZ-ja.
Në këtë kontekst, KQZ-ja pritet të verifikojë edhe të dhënat e kësaj qendre votimi, me qëllim të sqarimit të çdo paqartësie dhe garantimit të integritetit të procesit zgjedhor. /Telegrafi/


