Please enter at least 3 characters.

Ramadani dhe Krasniqi para ndeshjes ndaj Kauno Zalgiris: Jemi të përgatitur, synojmë rezultat pozitiv

Drita është gati për sfidën e parë ndaj Kauno Žalgiris në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Zekirija Ramadani dhe kapiteni Besnik Krasniqi u shprehën të bindur se skuadra është përgatitur maksimalisht dhe synon të marrë një rezultat pozitiv përpara ndeshjes së kthimit në Kosovë.

Kapiteni Besnik Krasniqi theksoi se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë, duke e cilësuar atë si një nga pikat më të forta të Dritës.

"Atmosfera është shumë e mirë. Drita njihet gjithmonë për atmosferën që e ka dhe jemi munduar shumë ta ruajmë atë. Jemi mjaft të përgatitur dhe shumë të motivuar për ndeshjen e nesërme. Secili duhet ta japë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Nuk duhet të harrojmë se nuk është vetëm një ndeshje, por janë dy takime dhe duhet të jemi të kujdesshëm", deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, trajneri Zekirija Ramadani tha se ekipi është gati në çdo aspekt dhe beson se mund të kthehet me një rezultat të favorshëm nga transferta.

"Unë e shoh ekipin tim të përgatitur në aspektin psikologjik, fizik dhe taktik. Shpresoj që do të nxjerrim një rezultat pozitiv nga ndeshja e nesërme. Pastaj kemi ndeshjen e kthimit, ku do ta kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe normalisht do të jemi shumë më të forte”.

“Do të doja të ktheheshim me një avantazh dhe besoj se kjo është reale dhe normale. Megjithatë, duhet të bëjmë maksimumin. Nesër kemi 90 minuta punë dhe vetëm pas tyre mund të bëjmë llogaritë për ndeshjen e kthimit, nëse duhet të jemi më agresivë, më ofensivë apo më defensivë. Gjithçka do të varet nga rezultati i ndeshjes së parë", u shpreh Ramadani.

Drita do të përballet me Kauno Žalgiris nesër (e martë) në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, me synimin që të krijojë një pozitë sa më të favorshme për sfidën e kthimit para tifozëve të saj. /Telegrafi/