Please enter at least 3 characters.

Përparim Rama nënshkruan nismën e IKD-së për ndryshimin e Kodit Penal

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është bashkuar nismës legjislative qytetare të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), duke nënshkruar peticionin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës.

Rama ka vizituar sot stendën e IKD-së në sheshin “Nëna Terezë”, ku ka nënshkruar nismën që synon, ndër të tjera, përcaktimin si vepër penale të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sanksionimin e përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se nismës i është bashkuar për shkak të shqetësimeve që, sipas tij, lidhen me funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Ky Kryeministër ka shpërfillur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka refuzuar dhe përçmuar prokurorët e Republikës së Kosovës dhe ka përdorur paranë publike për përfitime elektorale”, ka shkruar Rama.

Ai ka vlerësuar se këto veprime përbëjnë rrezik për demokracinë dhe shtetin.

“Këto nuk janë vetëm shkelje. Janë rrezik për demokracinë dhe shtetin tonë”, ka deklaruar ai.

Rama ka thënë se për këtë arsye ka nënshkruar nismën që kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e parasë publike për përfitime elektorale.

“Prandaj sot iu bashkova qytetarëve dhe nënshkrova peticionin që kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Kushtetueses dhe keqpërdorimin e parasë publike për përfitime elektorale”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.

Sipas tij, mbështetja e qytetarëve për këtë nismë tregon rritjen e vetëdijes qytetare.

“Fakti që qytetarët po e thonë gjithnjë e më qartë se askush nuk është mbi Kushtetutën e ligjin dhe paraja publike nuk është pronë partiake, dëshmon rritjen e vetëdijes qytetare dhe kjo është e shëndetshme për demokracinë tonë”, ka theksuar Rama.

Nisma e IKD-së përmban dy propozime kryesore: kriminalizimin e moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.

Në kuadër të aktivitetit për mbledhjen e nënshkrimeve, nismën e kanë mbështetur edhe figura të tjera publike dhe politike. IKD ka bërë të ditur se aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve do të vazhdojë./Telegrafi/