Putini mendon se mund të bëhet “i pavdekshëm”, investon 26 miliardë dollarë në 'luftën kundër plakjes'
Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë luftën kundër plakjes një përparësi strategjike për shtetin, duke miratuar një program prej 26 miliardë dollarësh që përfshin terapitë gjenetike, bioprintimin e organeve, krioterapinë dhe kërkimin mbi transplantet e organeve të rritura në kafshë të modifikuara gjenetikisht.
Sipas një raporti nga The Wall Street Journal, programi “Teknologjitë e Reja të Ruajtjes së Shëndetit”, i prezantuar nga qeveria ruse në vitin 2024, është një nga iniciativat më ambicioze shkencore të Kremlinit.
Qëllimi i tij është të rrisë jetëgjatësinë e qytetarëve rusë dhe të ngadalësojë plakjen biologjike përmes aplikacioneve të përparuara të bioteknologjisë.
Interesi i Putinit për jetëgjatësinë u bë më i njohur kur u kap në kamera duke folur me presidentin kinez Xi Jinping gjatë një parade ushtarake në Pekin
Presidenti rus thuhet se ka sugjeruar që zëvendësimi i organeve një ditë mund të çojë në “pavdekshmëri”, një pikëpamje që është e lidhur ngushtë me programet kërkimore të financuara nga Moska.
Në zemër të programit qëndrojnë dy teknologji. E para është bioprintimi, pra printimi 3D i indeve dhe organeve të gjalla nga qelizat njerëzore. E dyta është ksenotransplantimi, zhvillimi i organeve njerëzore brenda derrave, të cilët më pas mund të përdoren për transplante.
Qendra kërkimore ruse pretendojnë se kanë arritur tashmë të krijojnë kërc njerëzor dhe një gjëndër tiroide të miut përmes bioprintimit, ndërsa objektivi afatgjatë është zëvendësimi i plotë i organeve njerëzore deri në fund të dekadës.
Në të njëjtën kohë, Ministria Ruse e Shkencës njoftoi zhvillimin e një terapie të re gjenetike që synon ngadalësimin e plakjes qelizore.
Zyrtarët rusë e përshkruajnë projektin si një nga drejtimet më premtuese në luftën kundër plakjes, me një horizont zbatimi në vitet e ardhshme.
Vajza e Putinit, Maria Vorontsova, e cila është endokrinologe dhe merr pjesë në programet shtetërore të gjenetikës, si dhe fizikani Mikhail Kovalchuk, një aleat i ngushtë i presidentit rus dhe kreu i Institutit Kurchatov, thuhet se luajnë një rol të rëndësishëm në program.
Pavarësisht premtimeve ambicioze, shumë shkencëtarë janë skeptikë në lidhje me progresin aktual të programit.
Ekspertët thonë se shumica e hulumtimeve nuk janë botuar në revista ndërkombëtare të rishikuara nga kolegët, duke e bërë të vështirë verifikimin e pavarur të rezultateve.
Kritikët gjithashtu thonë se izolimi i komunitetit shkencor rus pas sanksioneve perëndimore ka kufizuar bashkëpunimin me qendrat kryesore kërkimore jashtë vendit.
Megjithatë, Kremlini vazhdon të investojë miliarda dollarë në teknologji që synojnë të zgjasin ndjeshëm jetëgjatësinë e njeriut.
Për Putinin, 73 vjeç, kërkimi për jetëgjatësi duket se është më shumë sesa thjesht një interes shkencor, por një mision personal dhe politik i lidhur me vizionin e tij për të ardhmen e Rusisë. /Telegrafi/


