Please enter at least 3 characters.

PSG-ja mposht pa problem Auxerren – vëmendja tani kalon te Barcelona

Paris Saint-Germaini ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Auxerres në kuadër të javës së gjashtë në elitën e futbollit francez.

Vendasit gjetën golin e avantazhit në minutën e 32-të përmes Ilya Zabarnyit i cili pas një krosimi të bukur realizoi për rezultatin 1-0.

Në pjesën e dytë PSG-ja gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe përmes Lucas Beraldos i cili shënoi për 2-0 pas asistimit nga Senny Mayulu.

Mysafirët rastin e vetëm në këtë ndeshje e patën në minutën e 58-të, kur Kevin Danois me një goditje të fuqishme përplasi topin në shtyllën e djathtë të Lucas Chevalier.

Deri në fund të takimit nuk pati më ndryshim të rezultatit dhe kështu PSG-ja u rikthye tek fitoret pas disfatës prej 1-0 të pësuar nga Olympique Marseille xhiron e kaluar.

Pas gjashtë ndeshjeve të luajtura, të besuarit e Luis Enriques kanë arkëtuar 15 pikë dhe aktualisht janë lider të tabelës në Ligue 1.

E gjithë vëmendja e parisienëve tani do të përqendrohet tek dueli i Ligës së Kampionëve me Barcelonën, sfidë kjo që do të luhet të mërkurën./Telegrafi/