Please enter at least 3 characters.

"Pse u larguat nga puna?" Kjo është përgjigjja më e keqe që mund ta jepni në intervistë

Ekspertja e karrierës Erin McGoff tregon si nuk duhet t’i përgjigjeni pyetjes për largimin nga puna e mëparshme dhe si ta ktheni përgjigjen në favorin tuaj

Mos shkoni kurrë në një intervistë pune pa disa përgjigje të përgatitura më parë, këshillon Erin McGoff, eksperte e karrierës.

Sipas saj, të kesh disa përgjigje të menduara paraprakisht mund t’ju ndihmojë të mos ngecni kur përballeni me pyetje të vështira. Në librin e saj "The Secret Language of Work: Hyper-Helpful Scripts for Every Situation", McGoff thekson se ushtrimi i asaj që dëshironi të thoni ju ndihmon të ndiheni më të qetë dhe më të përqendruar në situata me presion të lartë.

Një nga pyetjet që më së shpeshti i huton kandidatët është: "Pse u larguat nga pozita juaj e mëparshme?".

Sipas McGoff, kjo është një pyetje e zakonshme, por shumë njerëz nuk dinë si ta formulojnë përgjigjen në mënyrë që të tingëllojë e sinqertë, pa zbuluar domosdoshmërisht të gjithë historinë.

Si nuk duhet të përgjigjeni

Në thelb, punëdhënësit nuk janë aq të interesuar për arsyen e saktë pse e keni lënë punën e mëparshme. Ajo që ata kërkojnë janë sinjalet paralajmëruese. Ata përpiqen të kuptojnë nëse mund ta lini edhe këtë punë për arsye të ngjashme.

Gjëja më e rëndësishme që duhet ta mbani mend është se intervista nuk është vend për të nxjerrë frustrimet.

Nuk është momenti për të folur gjatë për një shef "të tmerrshëm", për kolegë të vështirë ose për pakënaqësitë nga kompania e kaluar.

Kur një kandidat ankohet për punën e mëparshme, nga këndvështrimi i punëdhënësit kjo mund të tingëllojë kështu: "Ky person po sjell shumë ngarkesë nga e kaluara" ose "Ky kandidat mund të sjellë shumë dramë".

Prandaj, McGoff këshillon që të shmangni çdo koment negativ për ish-kompaninë, ish-shefin ose kolegët. Për më tepër, varësisht nga fusha ku punoni, punëdhënësi i ri mund t’i njohë njerëzit me të cilët keni punuar më parë, transmeton Telegrafi.

Si duhet të përgjigjeni

Sipas McGoff, përgjigjja duhet të jetë e kujdesshme. Ju ende mund ta thoni të vërtetën, por në një mënyrë që i shërben qëllimit të intervistës: të lini përshtypje të mirë.

Ajo rekomandon tri hapa.

1. Përmendni diçka që ju ka pëlqyer në punën e mëparshme

Mund të thoni, për shembull: "Më ka pëlqyer shumë puna me produktet për të cilat kam qenë i angazhuar" ose "Jam krenar për rezultatet që kam arritur në atë pozitë".

2. Shpjegoni shkurt pse u larguat

Përdorni gjuhë neutrale. Në vend që të thoni se jeni larguar për shkak të një shefi toksik, mund të formuloni përgjigjen kështu: "Kompania bëri një ndryshim në menaxhim dhe kjo, fatkeqësisht, ndryshoi dinamikën e rolit tim".

Nëse nuk dëshironi të hyni në detaje, përgjigjja mund të mbetet e përgjithshme: "E ndjeva se ishte momenti i duhur për të vazhduar më tej" ose "Po kërkoja më shumë mundësi për zhvillim në karrierë".

3. Kthejeni vëmendjen te pozita e re

Në fund, lidheni përgjigjen me punën për të cilën po intervistoheni.

Mund të thoni: "Kur e pashë këtë pozitë të hapur, mendova se mund t’i sjell vlerë të madhe kompanisë suaj. Kjo është arsyeja pse jam sot këtu".

Në përgjithësi, përgjigjja duhet të fokusohet te aftësitë, përvoja dhe interesi juaj për pozitën e re, jo te pakënaqësitë nga puna e kaluar.

Rregulli kryesor është i thjeshtë: qëndroni të sinqertë, por pozitivë. Intervista është vend për të treguar pse jeni kandidat i mirë, jo për të shpjeguar me hollësi pse keni qenë të pakënaqur diku tjetër. /Telegrafi/