Pse trembet Edi Rama nga Parlamenti?
Gjashtë muaj bojkot, Edi Ramës mund t’i kenë shërbyer për të rritur më tej pozitat e tij në Partinë Socialiste, por jo frikës së tij nga çuarja e deputetëve në Parlament. Tanimë, pas gjashtë muajsh “beteje” të humbur, Edi Rama gjendet si lepuri në borë, në pamundësi për të gjetur një rrugë, për të dalë nga e gjithë kjo histori e krijuar, e cila e ka lënë në vend partinë më të madhe në opozitë. A janë të forta pretendimet e Ramës, për të vijuar bojkotin? Për shumë kënd po, por jo të mjaftueshme, për të lënë karriget bosh në Parlament. Hetimi i zgjedhjeve mund të bëhet edhe duke qenë në Kuvend deputetët e PS-së.
Megjithatë, sa më shumë ditë kalojmë, aq më i vështirë bëhet për Ramën misioni “flakëhedhës” në këtë fushë beteje politike. Së pari, një rikthim pa përmbushur kërkesën kryesore për hapjen e kutive, do të ishte një tjetër goditje e madhe për liderin e përtej së majtës dhe së djathtës. Së dyti, një tjetër rrezik do të ishte, ajo që Rama e thotë nën zë në konferenca shtypi, si “blerja” e deputetëve, metodë që kreu socialist, tenton ta shemb një herë e përgjithmonë, të paktën në këtë moment politik ku ndodhet vendi.
Deri më tani, Rama ka mundur të largojë nga vetja disa nga rreziqet e mëdha që do t’i lëkundin pozitën e tij prej kryetari në partinë më të madhe në opozitë, një post politik me rëndësi, që i shërben atij edhe si një bazament i fortë, për pushtetin ekonomik. Këtë ia arriti, duke pretenduar se zgjedhjet iu vodhën dhe nga e gjithë kjo që goditi PS-në në zgjedhje, fajtori nuk ishte ai. Në qoftë kështu, duhet të jemi naiv ta besojmë. E në mos jo, atëherë Rama dhe “këshilltarët” e tij jashtë Shqipërisë, arritën qëllimin, për të mbajtur në pozita të forta “besnikun” e politikës së re.
Por nëse një betejë e ka fituar, mbase më të rëndësishmen, Ramën e presin të tjera beteja të fuqishme. Duket aleanca për përjashtimin e tij nga jeta politike por edhe ekonomike, do të dalë fituese. Përveç kësaj aleance, që aktualisht është në pozitat e saj më të forta, pozitat e Ramës i rrezikon edhe një “aleancë” e re, që pritet të konkretizohet së shpejti. Në aleancën e parë, deri më tani i fituar është Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe të tjerë të rreshtuar në këtë bllok, ndërsa Rama me të vetët gjendet në përpjekje për të mos lëshuar fron.
Sa më shumë ditë të kalojnë, aq më të vështira bëhen vendimet e Ramës. E nëse gjer në mars, nuk do të jetë gjetur një zgjidhje kompromisi, atëherë KQZ-ja do të sjellë deputetë të rinj nga e majta. Nëse kjo ndodh për Ramën, do të jetë goditja më e madhe, pasi nga radhët e deputetëve aktual do të ikin besnikët e tij më të rëndësishëm. Kjo nuk do të thotë pak për një lider partie dhe për një grup parlamentar.
Duke mos qenë vetë në Parlament, Rama e ka më të vështirë kontrollin e këtij grupi deputetësh, aq më tepër nëse ata do të jenë nga lista e radhës dhe jo këta aktual. E nëse do të ndodhë që deputetët aktual do të shkojnë në Kuvend, para se t’iu digjet mandati, atëherë shqetësim për Ramën mbetet “blerja” e deputetëve të majtë. Aktualisht, Berisha nuk është i interesuar për të “blerë” deputet, më shumë se sa i intereson një opozitë në Parlament, çka e qetëson pozitën e tij prej kryeministri. E gjer në zgjedhjet e presidentit të ri, do të kenë ndryshuar kaq shumë gjëra. Ramën duhet ta shqetësojë edhe poli i tretë në politikën shqiptare që po konkretizohet dita ditës. Bojkoti i opozitës, e ka ngadalësuar këtë proces, por nuk e ka shuar përfundimisht.
Poli i tretë i moralit, do të jetë në të ardhmen një rrezik për PS-së dhe për PD-në. Por aktualisht, ky pol rrezikon tej mase Edi Ramën. Poli i etikës, do të jetë poli i konsensusit, çka votat e tij të deputetëve do të jepen për presidentin e ri, kushdo qoftë ai. Për Berishën, kjo është një betejë e fituar lehtësisht, por për Ramën është goditja përfundimtare. Në lojë, janë aktorë dhe liderë të rëndësishëm ndërkombëtar edhe pse në dukje anonim. Nëse krahu i Ramës po zhvleftësohet çdo herë e më shumë, terren gjen krahu i organizatave të fuqishme të krishtera, të cilat tentojnë të jenë gjithëpranueshëm në përbërje të tyre.
Poli i tretë, për të cilin janë hedhur themelet, prite të marrë deputetë nga të dy krahët e politikës. Për Berishën, nuk duket shqetësim, pasi ata do të jenë mbështetës të tij, të paktën gjer në zgjedhjet e ardhshme. Për Ramën kjo do të thotë në njëfarë mënyre, lamtumirë politikë!


