Please enter at least 3 characters.

Pse taksitë gjermane janë me ngjyrë bezhë?!

Në shumë vende të botës taksitë janë të verdha, në disa të kuqe ose edhe të kaltra të çelëta, ndërsa në disa shtete nuk ka fare rregulla për ngjyrën e tyre. Nga ana tjetër, taksitë gjermane njihen për ngjyrën e tyre bezhë. Megjithatë, nuk kanë qenë gjithmonë të tilla.

Fillimisht, taksitë në Gjermani ishin me ngjyrë të zezë. Kjo ndryshoi në vitin 1971, kur ministri federal i Transportit i asaj kohe, Georg Leber, urdhëroi që të gjitha taksitë e reja të lyheshin me ngjyrën bezhë të çelët (fildish i hapur), e njohur teknikisht si RAL 1015. Pas një periudhe kalimtare pesëvjeçare, të gjitha taksitë e zeza u zhdukën nga rrugët gjermane.

Cilat ishin arsyet e këtij vendimi?

Një prej tyre ishte praktike: papastërtitë e lehta dhe njollat e vogla vëreheshin shumë më pak në ngjyrën bezhë sesa në të zezë, duke bërë që taksitë të dukeshin më të pastra për më gjatë.

Gjithashtu, në kohën kur veturat ende nuk ishin të pajisura me kondicioner, automjetet me ngjyrë të zezë nxehej shumë gjatë verës.

Megjithatë, arsyeja më e rëndësishme ishte se kjo ngjyrë pothuajse nuk përdorej për veturat private, gjë që i bënte taksitë lehtësisht të dallueshme në trafik.

Përveç kësaj, ngjyra më e çelët rrite sigurinë në komunikacion, pasi automjetet ishin më të dukshme në rrugë – një aspekt që ministri Leber e konsideronte veçanërisht të rëndësishëm. /Telegrafi/