Please enter at least 3 characters.

Pse fytyra plaket pas moshës 25-vjeçare? Sqaron doktori Shkëlzen Komoni

Në episodin e 74-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialisti i kirurgjisë maksillofaciale, Shkëlzen Komoni, shpjegoi faktorët kryesorë që ndikojnë në humbjen e elasticitetit të lëkurës, shfaqjen e rrudhave dhe rëndësinë e ruajtjes së natyralitetit në kirurgjinë estetike.

Sipas doktor Komonit, pas moshës 25-vjeçare organizmi fillon gradualisht të humbasë disa proteina shumë të rëndësishme për elasticitetin dhe freskinë e lëkurës.

“Mas 25 vjetëve kemi humbje të kolagjenit, por shumë është interesante që askush nuk e përmend elastinën”, tha ai.



Ai shpjegoi se elastina është proteina që i jep lëkurës elasticitetin natyral dhe prodhimi i saj bie ndjeshëm pas kësaj moshe.

“Ajo prodhohet deri në njëzet e pesë vjet. Pastaj prodhohet shumë pak ose nuk prodhohet fare”, deklaroi Komoni.

Specialisti theksoi se mënyra e jetesës ka ndikim të madh në ritmin e plakjes së fytyrës.

“Mënyra e jetesës është ushqim i shëndetshëm, sporti, mospirja e duhanit, alkoolit, pastaj gjumi ka shumë rëndësi”, u shpreh ai.

Sipas tij, gjumi luan rol kyç në rigjenerimin e fytyrës dhe lëkurës.

“Kur jemi në gjumë bëhet regjenerimi më i madh i fytyrës dhe lëkurës së fytyrës”, tha doktori.

Komoni foli për trendet moderne të kirurgjisë estetike dhe rëndësinë e ruajtjes së natyralitetit të fytyrës.

“Mendoj që shumë më me rëndësi është me e ruajt individualitetin dhe natyralitetin e fytyrës”, deklaroi ai.

Sipas tij, ndërhyrjet estetike nuk duhet të krijojnë ndryshime drastike që humbin tiparet personale të individit.

“Suksesi arrihet kur e shohim një person dhe themi: ‘Po duket diçka mirë, por s’po di çka është bo’”, u shpreh doktori.

Komoni kritikoi edhe përdorimin e tepërt të fillerëve, duke thënë se shpesh po krijohen fytyra jo natyrale.

“Fytyra duhet me e ruajt individualitetin. Nuk pajtohem me ekzagjerimin e fillerëve që e deformojnë fytyrën”, tha ai.

Për më shumë shikoni podcastin "Shëndeti në rend të parë":