Please enter at least 3 characters.

Protesta në Shkup, Zaev-Gruevskit: Po e sheh që mbarove, shko (Video)

2016/01/protesta-n-euml-shkup-zaev-gruevskit-po-e-sheh-q-euml-mbarove-shko-video_hd.jpg

“Kam një mesazh konkret dhe të qartë për Gruevskin: Mos e zgjat! Po e sheh edhe vetë se mbaroi e jotja. Shko!”, porositi Zaevi para një numri të madh qytetarësh të grumbulluar në protestën e madhe para Qeverisë së Maqedonisë.

Kërkesën për dorëheqjen nga Gruevski, Zaevi e kërkoi në emër të të gjithë qytetarëve, nga pjesëtarët e të gjitha kombësive, të shoqërisë civile, të të gjitha proveninciencave politike.

“Asgjë më shumë s’mund të bëjë më Gruevski përveç që ta braktisë këtë ndërtesë, sepse i ka të numëruara orët”, tha Zaevi, duke ia numëruar kryeministrit aktual krimet që i ka bërë, e për të cilat dëshmuan telefonatat e përgjuara, të cilat u publikuan gjatë muajve të kaluar.

“Le ta zgjojmë që t’i ndihmojë Maqedonisë me atë që do të largohet”, thirri Zaevi

Lidhur me deklaratën e Gruevskit se do të ishte “qyqari po ta braktiste qeverinë në këto momente të vështira të vendit”, Zaevi tha se “qyqari është që të mbahet peng Maqedonia”

“Me apo pa vullnetin e Nikolla Gruevskit - ai do të shkojë! Domosdo do të shkojë!”, tha Zaevi, duke shtuar se “tjetër zgjidhje s’ka për këtë krizë, për t’u kthyer demokracia që e shkeli, shpresat e njerëzve, të ngrihet Maqedoni e cila është e përgjunjur”.

Përveç prej Gruevskit, ai kërkoi dorëheqje edhe nga kryeprokurori i shtetit Marko Zvrlevski, prokurori për krim të organizuar Jovan Ilievski dhe strukturat udhëheqëse të Radio-Televizionit të Maqedonisë.

Është e domosdoshme një marrëveshje politike për formimin e qeverisë kalimtare me mandat që do të sigurojë kushte për mbajtjen në afat të caktuar të zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, në mënyrë që të kthehen në normale të gjitha mekanizmat e një shteti normal, shprehi bindjen shefi i opozitës.

“Erdhëm dhe nuk shkojmë derisa ta kthejmë paqen, qetësinë dhe dinjitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Zaevi.

Tubimi i sotëm, më i madhi në historinë e Maqedonisë, tha Zaevi, është mesazhi më i fuqishëm që i dërgon Maqedonia Gruevskit. Është mesazhi i Maqedonisë së bashkuar, Maqedonisë multietnikisht të bashkuar, të etshme për liri dhe demokraci.

Lideri socialdemokrat kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të ndihmojë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, jo vetëm me vëzhgim, për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Inatet e Gruevski, të cilat po i tregon vazhdimisht, tërhoqi vërejtjen Zaevi, tregojnë se ai mund ta çojë vendin drejt një zgjidhjeje të padëshiruar.

Parimet kyçe mbi të cilat do të mbështetet LSDM-ja në ndërtimin e shtetit pas rrëzimit të Gruevskit, tha Zaevi janë: Maqedonia do të jetë shtet i përbashkët, shoqëri stabile, demokratike dhe multietnike e të gjiithë qytetarëve që kanë lindur dhe jetojnë në këtë shtet, pa kurrfrë dallimesh. Ai premtoi ndryshime në politikën sociale, në shëndetësi, arsim, transparencë në punën e ekzekutivit, e kështu me radhë.

Maqedonia do të jetë një shtet , një shoqëri e qytetarëve të barabartë, qytetarëve që janë krenarë me shtetin e vet. “Dallimet janë pasuria jonë dhe në bazë të kësaj do të ndërtojmë themelet e shtetit të ri, multietnik dhe multikulturor, porositi lideri i opozitës.

“Kjo e keqe, që e gjeti Maqedoninë gjatë viteve të pushtetit të Gruevskit, s’do të përsëritet kurrë më!”, tha Zaevi.

Ai premtoi se LSDM-ja me partnerët e vet dhe me ndihmën e shoqërisë civile, do të ndërtojë një shoqëri multietnike, si pasuri e shtetit, me njerëz dinjitozë. Republika e Maqedonisë do të jetë shtet shembull social që do të përkujdeset për të gjithë qytetarët, që të kenë jetë dinjitoze, tha mes tjerash Zaevi, duke shtuar se “paratë që u vodhën do t’i kthehen shtetit dhe popullit”.

Ai i thirri të gjithë njerëzit dhe subjektet liridashëse që bashkë ta ndërtojnë ardhmërinë e vendit.

“Do të ndërtojmë shoqëri ku do të ketë vend për të gjithë. Do t’i kthehemi përcaktimit për anëtarësim në BE dhe NATO, do të ndërmarrim gjithçka për ta zgjidhur problemin me emrin”, tha Zaevi.

Ai shtoi se asgjë më nuk do të bëhet prapa shpinës së popullit.

“Gruevski mjaft e rrejte popullin se dikush do pushtet. S’jemi këtu për pushtet. Ne këtu së bashku erdhëm për liri”, tha Zaevi duke paralajmëruar: “Gruevski, Je në duart e së vërtetës! Mbetemi këtu para Qeverisë. Dorëheqja e Nikolla Gruevskit patjetër do të vijë. Derisa të largohet Gruevski nuk largohemi prej këtu”.

E plotësuar (17:38): Duke numëruar parimet në bazë të cilave do të funksionojë Qeveria e ardhshme, që sipas tij do të formohet pas rënies së Gruevskit, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ka sjellë një lajm të mirë për tetovarët. 

Ai tha se Qeveria e ardhshme do të mbyllë fabrikat e mëdha që ndotin ajrin, nëse nuk aplikojnë standardet e nevojshme ekologjike.

“Për të gjithë ndotësit e madhej do të krijojmë kushte që të aplikojnë standardet e nevojshme ekologjike në afat të caktuar. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do t’i mbyllim”, tha Zaev, raporton lajmpress.

Ai premtoi se nuk do të ketë largime të punësuarve në administratë, por sistematizim sipas shembullit të vendeve evropiane.

Qeveria VMRO-BDI në kundërshtim me të gjitha zgjedhjet ligjore, ka vazhduar afatet për punën e kësaj fabrike dhe si pasojë Tetova është qyteti më i ndotur në Evropë.

Qytetarët shqiptarë të Maqedonisë, që i bashkuan sot protestës së opozitës po besojnë se ky është fundi i Qeverisë së Gruevskit dhe Ahmetit.

“Ne kemi dalë kundër Ali Ahmetit, e maqedonasit kanë dalë kundër Gruevskit”, ka thënë një qytetar shqiptar i pyetur nga televizionet e atjeshme.

“Ky është fundi i kësaj Qeverie, e sidomos i BDI-së”, ka thënë një tjetër qytetar, i mbështjellë me flamur kombëtar shqiptar.

Ndërkohë, një i moshuar beson se rrëzimi i kësaj Qeverie do të sjell vetëm të mira për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni.

E plotësuar (16:22): Qytetarët presin që epilogu nga protestat e sotme masive të jetë dorëheqja e Qeverisë në krye me Nikolla Gruevskin. Disa prej tyre, që në masë të madhe ishin shqiptarë, kërkojnë dorëheqje edhe nga lideri i BDi-së, Ali Ahmeti.

Ata shpresojnë që shqiptarët do të ketë një pozitë më të mirë në të ardhmen me rënin e pushtetit aktual.

Në mesin e protestuesve kishte edhe qytetarë të moshuar që përkundër motit mjaftë të ngrohtë, kishin ardhur për të shprehur mbështetjen e tyre në lidhje me dorëheqjen e qeverisë.

E plotësuar (15:28): Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, është para ndërtesës së Qeverisë ku pritet të dale para qytetarëve të mbledhur për largimin e Nikolla Gruevskit nga pushteti.

Ai thotë se populli do të qëndrojë para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.
“Dorëheqja nuk është larg dhe populli do të qëndrojë këtu”, theksoi ai teksa shprehet i kënaqur edhe me pjesëmarrjen e shqiptarëve.

E plotësuar (14:45): Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, është para ndërtesës së Qeverisë ku pritet të dale para qytetarëve të mbledhur për largimin e Nikolla Gruevskit nga pushteti.

Richard Howitt, deputeti dhe ish-raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, po ashtu ka mbërritur në protestën masive, ku po ashtë merr pjesë edhe ish-kryeministri bullgar, Sergei Stanishev.

Zaev ka thënë se kjo protestë nuk përfundon pa u rrëzuar Qeveria dhe pa dhënë dorëheqje Gruevski.

E plotësuar (14:20): Në protestën e sotme para qeverisë fjalim do të mbajnë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ish kryeministri bullgar, Sergei Stanishev, dhe Knut Flekenshtajn, nënkryetar i grupit socialist në Parlamentin Evropian.

Siç njoftuan nga LSDM-ja, aty do të flasin intelektualë dhe përfaqësues të OJQ-ve .

Në protestën e sotme janë një prani e madhe e mediumeve ndërkombëtare, CNN, BBC, Associated Press dhe shumë televizione tjera nga Evropa. Po ashtu shtetet e rajonit me shumë vëmendje do ta ndjekin protestën e sotme të opozitës e cila për herë të parë në histori organizon një protestë gjithëpopullore kundër kryeministrit aktual Nikolla Gruevski. /TetovaSot/

E plotësuar (14:10): Me mijëra protestues anti-qeveritar tashmë janë mbledhur në Shkup, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Turmat pushtuan sheshin qendror para zyrës së Qeverisë së Gruevskit, ku shumë prej tyre kanë arritur me autobusë nga qytete jashtë kryeqytetit, duke valuar flamurin maqedonas, raporton Reuters.

Liderët opozitarë thonë se disa protestues po planifikojnë të ngrenë kampe në rrugë, deri në dorëheqjen e Gruevskit, duke e akuzuar atë për shtypje të demokracisë, pas zbulimit të përgjimeve telefonike për të cilat Perëndimi thotë se kanë vënë në dyshim demokracinë shtetërore të Maqedonisë, transmeton Koha.net.

Gruevski, pas nëntë vjetësh në pushtet dhe deklarimit se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje, ka ftuar për një tubim të tijin në Shkup për të hënën mbrëma.

Edhe pse partitë politike shqiptare nuk bënë thirrje për protesta dhe nuk morën vendimin për përkrahjen e tyre, megjithatë qytetarët shqiptarë kanë vendosur qe të dalin dhe të protestojnë kundër qeverisë aktuale, transmeton Portalb.

Ndërkaq, TetovaSot njofton se Meri Nikollova, bashkëshortja e ambasadorit të BDI-së, Agron Buxhaku, ka postuar në fotografi në Facebook ku shihet me tre flamuj në fytyrë: atë shqiptar, maqedonas dhe flamurin e BE-së.

Ajo ka shkruar shkurt mbi fotografitë “Shkojmë”.

Qytetarë të shumtë janë duke shkuar drejtë cakut të protestës së sotme, ndërtesë së Qeverisë së Maqedonisë.

Protesta ka nisur nga kompleksi i gjykatave në Shkup. Protestuesit për momentin janë duke ecur kah qendra “Mavrovasja”, në drejtim të objektit të Qeverisë, njoftojnë reporterët e gazetës KOHA nga terreni.

Në duart e protestuesve shihen të ngjitur flamur shqiptarë, maqedonas dhe turq, por edhe të nacionaliteteve të tjera. Në rrugë e sipër protestuesve u bashkëngjiten qytetarë të tjerë, ndërsa dëgjohen brohoritma dhe pankartat me kërkesën për “Dorëheqje”.