Prokuroria kërkon paraburgim për personin që dyshohet se kanosi punëtorët e KRU “Mitrovica”
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, i cili dyshohet se ka kanosur tre punëtorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të kompanisë.
Sipas Prokurorisë, kërkesa për paraburgim është paraqitur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, ndaj të pandehurit me inicialet F.Sh., për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Kanosja”.
Rasti dyshohet se ka ndodhur më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë.
Sipas Prokurorisë, tre punëtorë të KRU “Mitrovica” kishin shkyçur furnizimin me ujë në pronën e të pandehurit, pas së cilës ai dyshohet se i ka kanosur ata dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të kompanisë.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, pasi tre punëtorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Mitrovica’ kishin bërë shkyçjen e furnizimit me ujë në pronën e tij, i pandehuri F.Sh. i ka kanosur ata dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të KRU ‘Mitrovica’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, i pandehuri dyshohet se i ka kërcënuar punëtorët se do t’i vriste nëse e raportonin rastin në Polici.
“Po ashtu, i pandehuri dyshohet se ka kanosur zyrtarët e KRU ‘Mitrovica’ se do t’i vrasë të tre nëse e lajmërojnë rastin në polici”, thuhet më tej në njoftim.
Me vendim të prokurorit, F.Sh. ndodhet në ndalim që nga e shtuna, ndërsa arma me gaz është sekuestruar.
Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa vendimin për këtë kërkesë do ta marrë Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri. /Telegrafi/


