Prishtinë, Knin, Sarajevë, Srebrenicë: Rruga e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq
Gjenerali serb, i cili vdiq sot, organizoi gjenocidin e parë në Europë pas Adolf Hitlerit. Shumë serbë vazhdojnë ta nderojnë si hero - dhe kjo është një nga trashëgimitë e tij më të tmerrshme.
Gjenerali kroat me origjinë nga Kosova, Rahim Ademi, me rastin e vdekjes së kriminelit të luftës Ratko Mlladiq tha: “Ai ishte trim vetëm ndaj civilëve të paarmatosur, nuk ishte kurrëfarë ushtaraku”. Kjo fjali e ilustron saktë karrierën e këtij banditi me uniformë dhe këtij racisti të ngarkuar me mite mesjetare serbe.
Më 1991 Mlladiq tentoi të pushtojë qytetin e Shibenikut në bregdetin adriatik kroat. Njësitë e ushtrisë kroate, të komanduara nga Rahim Ademi, e mposhtën dhe dëbuan Mlladiqin dhe forcat e tij. Para se të shkonte në Kroaci për të luftuar, Ratko Mlladiqi shërbeu si zëvendëskomandant i korpusit të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) në Prishtinë. Ishte sjellë aty nga Maqedonia, sipas të gjitha gjasave për të qenë në gatishmëri dhe në pritje të shpërthimit të luftës në Kosovë. Pasi që klasa e atëhershme politike e Kosovës - largpamëse dhe e prirë nga Ibrahim Rugova - nuk hyri në aventura të luftës ngaqë nuk ishte e përgatitur - Shqipëria vuante për bukë, ushtri efikase pothuaj nuk kishte, ndërsa nga Perëndimi s’mund të pritej ndërhyrje ushtarake, kjo ndodhi një dekadë më vonë - udhëheqja e APJ-së, e dominuar nga gjeneralët serbë, e çoi Mlladiqin në Kroaci. Atje prej tij pritej të përkrahte forcat kryengritëse serbe, të cilat do të merrnin nën kontroll një pjesë të madhe të Kroacisë në kuadër të projektit për krijimin e Serbisë së Madhe.
Pas dështimit të Mlladiqit në hinterlandin e Dallmacisë, ky gjeneral serb u dërgua në Bosnjë-Hercegovinë. Aty organizoi krimet më të mëdha në Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Trupat e tij vranë, masakruan, plagosën dhe gjymtuan dhjetëra-mijëra civilë, boshnjakë e kroatë. Dëbuan miliona njerëz. Në Srebrenicë Mlladiqi ishte në krye të gjenocidit - brenda pak javësh - në korrik 1995 - forcat e tij vranë rreth 8000 burra e djem boshnjakë. Bashkësia ndërkombëtare nuk e ndali plojën e forcave serbe. Kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, u mbajt i rrethuar 1425 ditë, mbi 11 mijë njerëz u vranë. Në urbicidin serb ndaj Sarajevës u dogjën edhe miliona libra pas goditjeve të njëpasnjëshme ndaj Bibliotekës Nacionale të Bosnjës.
Në ditët e para të luftës në Bosnjë viktimat e para ishin shqiptarët - u vranë në dyqanet apo shtëpitë e tyre në Bosnjën lindore (për shembull në Bijelinë), menjëherë pasi nga Beogradi erdhën trupat e kriminelit të shumëfishtë Zhelko Razhnjatoviq. Është një skenë e tmerrshme, mes miliona të tillave: kriminelët serbë me uniforma i hedhin benzinë një shqiptari nga rrethina e Shkupit para se ta ekzekutonin.
Në ditët në vijim do të jetë interesante të shihet se si do të sillet Serbia zyrtare ndaj njërit prej kriminelëve më të mëdhenj të 100 viteve të fundit në Europë - ndaj Ratko Mlladiqit. Një pjesë e madhe e shoqërisë serbe, e helmuar nga nacionalizimi, tashmë e ka ngritur Mlladiqin në piedestalin e heroit. Para syve të pushtetit në mbarë Serbinë shihen grafite e murale të kasapit të Bosnjës. Krimet e luftës mohohen gjithandej. Bëhet thirrje për hakmarrje të reja. Për beteja të reja. Për “pjesën e dytë të lojës”. Në pushtet janë adhuruesit e dikurshëm (dhe mbase edhe të sotëm) të Mlladiqit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundi mallkoi shtetet perëndimore për shkak se nuk e liruan Mlladiqin e sëmurë të vdiste në shtëpi. Për viktimat e Mlladiqit kryetari serb nuk e tha asnjë fjalë. Gjatë luftës në Bosnjë Vuçiq shërbeu si propagandist në një radio të serbëve të Bosnjës. Më vonë, pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit, Vuçiqi kundërshtoi ekstradimin e Mlladiqit në Hagë. Ndërsa Mlladiq kalonte kohën në rehati në Serbi, nën mbrojtjen e shërbimit sekret, Vuçiq e “emëronte” një bulevard në Beograd me emrin e Ratko Mlladiqit.
Pas luftës në Bosnjë Mlladiqi iku në Serbi, ku gëzoi mbështetjen e shërbimeve sekrete, ushtrisë, politikës, botës intelektuale nacionaliste, mediave të shumta e të afërta me regjimin. U arrestua tek më 2011, në një ditë maji.
Atë ditë isha duke vrapuar në Parkun Maksimir në Zagreb, kur erdhi lajmi se Mlladiqi ishte arrestuar në një fshat të Vojvodinës. Të nesërmen isha aty, para shtëpisë së kushëririt të Mlladiqit, bashkë me qindra gazetarë nga mbarë bota. Një fshatar për pak e shtypi me traktor një gazetare që raportonte drejtpërdrejtë për një televizion. Mlladiq u arrestua pas presionit të madh perëndimor dhe pas kalkulimeve të pushtetit se ndoshta në atë çast mund të përfitonte më shumë nga BE dhe SHBA-ja. Në pushtet ishte presidenti Boris Tadiq. Pas pak frerët e pushtetit i morën ish-radikalët e Vojisllav Sheshelit me Vuçiqin, i cili ishte ndarë sa për sy e faqe nga “babai i tij” ideologjik dhe shtirej si proeuropian. Qe 15 vjet trajtohet si i tillë nga BE, ndonëse vazhdon ta destabilizojë rajonin kudo ku mundet - prej shkaktimit të tensioneve në Bosnjë, mobilizimit të nacionalistëve klerikalë në Mal të Zi deri te sulmet terroriste në Kosovë si ai i vitit 2023, i kryer nga kanakari i tij Millan Radojçiq.
Gjatë procesit gjyqësor në Hagë Mlladiq nuk tregoi asnjë pendim. U përpoq të frikësonte dëshmitarët që raportonin mbi krimet e tij. Më 2021 u dënua me burgim të përjetshëm. Kështu foli instanca e fundit e gjykatës së OKB-së. Dhe Mlladiqi u rendit në mesin e kriminelëve më të mëdhenj në Europë në 100 vitet e fundit, aty diku afër Adolf Hitlerit. Para se të nisej për në Hagë Mlladiq kërkoi të shkonte të vizitonte varrin e vajzës së tij Ana në varrezat e Beogradit. Ana e kishte vrarë veten në vitet 90-të. Me revolën e babait të saj.


