Please enter at least 3 characters.

Prishtina Trails 2026: Me qindra vrapues pushtojnë Gërminë

Prishtinë: Edicioni i tetë i “Prishtina Trails”, garës më të madhe të vrapimit në shtigje malore në Kosovë, u mbatj me sukses në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, duke mbledhur 500 vrapues nga më shumë se 20 shtete.

Të gjitha shtigjet e garës filluan dhe përfunduan në zemër të Gërmisë, duke kaluar nëpër peizazhin e mbrojtur natyror të kryeqytetit. Drejtues të klubit “X-Trailers” - që janë organizatorët e garës Prishtina Trails- theksuan edhe një herë rëndësinë e fushatës “Gërmia pa kerre”, e cila synon mbrojtjen dhe ruajtjen e parkut si hapësira më e rëndësishme rekreative e qytetit.

Në garën kryesore prej 50 km, fitues u shpallën Erzen Zyberaj (KOS) dhe Margot Navarro (FRA), në distancën 23 km fitues ishin Stella Zinn (SUI) dhe Albion Ymeri (KOS), dhe në distancën 10 km më të shpejtit ishin Litfete Luta Shala (KOS) dhe Mikus Zagata (AUT). Çmimet për TOP 6 vrapuesit dhe vrapueset u ndanë nga përfaqësues të Ministrisë së Sportit dhe Rinisë. Lista me të gjitha vendet e para janë publikuar në kanelet zyrtare të Prishtina Trails në Facebook e Instagram.

Një nga organizatorët u shpreh: “Gërmia pa kerre është një thirrje e qartë për të mbrojtur një nga pasuritë më të mëdha natyrore që kemi. Gërmia nuk është vetëm vend për sport dhe rekreacion, por një pjesë thelbësore e shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Përmes kësaj gare po e përforcojmë mesazhin se natyra duhet të mbrohet me çdo kusht.”

Ndërsa një nga vrapuesit tha: “Organizimi ishte i jashtëzakonshëm nga fillimi deri në fund. Shtigjet, atmosfera dhe mikpritja e komunitetit e bënë këtë një përvojë të paharrueshme. Jam shumë i lumtur që mora pjesë në Prishtina Trails.”

Përveç garave kryesore në tri distanca, 300 fëmijë të moshave 7-12 vjeç morën pjesë në vrapin për fëmijë, duke e zgjeruar dimensionin komunitar dhe familjar të ngjarjes. Programi u plotësua edhe me një zonë ekspozuese ku kompani të njohura vendore prezantuan iniciativa që promovojnë shëndetin dhe stilin e jetesës aktive.

Një tjetër element i veçantë i “Prishtina Trails” mbetet angazhimi për qëndrueshmëri mjedisore. Në bashkëpunim me partnerët “DYVO Lab” medaljet për pjesëmarrësit prodhohen nga plastika – këtë vit rreth 25,000 kapakë të shisheve të plastikës u transformuan në medalje për qindra vrapues. Kjo praktikë është aplikuar gjithashtu në garën për fëmijë, e organizuar nga Klubi X-Trailers në bashkëpunim me “LET Center”.

Ngjarjes i prapriu një tjetër rekord të pjesëmarrjes, me të gjitha vendet e regjistrimit të mbyllura një muaj para garës, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të interesimit për trail running si një sport që kombinon aktivitetin fizik me natyrën dhe mirëqenien.

Organizatorët falënderuan sponsorët dhe partnerët që mbështetën realizimin e edicionit 2026, në veçanti Ministria e Sportit dhe Rinisë, Raiffeisen Bank, Onze, SIGAL, si dhe shumë biznese si Balkan Natural Adventure që ka shpërblyer fitueset femra, si dhe organizata tjera që kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe promovimin e jetesës aktive në Kosovë. Loja shpërblyese ishte tjetër aktivitet që u organizua me ndihmën e partnerëve “iCore”, “Onze”, dhe “BikePlus”.

“Prishtina Trails” mbetet ngjarja kryesore e trail-running në Kosovë, duke promovuar Pejsazhin e Mbrojtur të Gërmisë si një aset të çmuar natyror dhe duke bashkuar sportin, komunitetin dhe ndërgjegjësimin mjedisor në një platformë të vetme si dhe insistimin që Gërmia të jetë “pa kerre”.

true