Prishtina kërkon masa urgjente për përshpejtimin e lëndëve pronësore
Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës marrjen e masave urgjente për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore, sidomos gjatë sezonës verore kur rritet numri i aplikimeve.
Sipas Komunës, aktualisht një numër i madh i lëndëve po përballen me vonesa për shkak të ngarkesës së sistemit, ndërsa problem shtesë paraqet mënyra e rikthimit të lëndëve nga noterët në radhën fillestare të pritjes.
“Një nga arsyet kryesore është se lëndët që kthehen për plotësim te noterët rikthehen sërish në radhën e pritjes sipas datës fillestare të aplikimit, duke krijuar bllokime dhe duke ngadalësuar trajtimin e lëndëve të tjera”, thuhet në njoftim.
Për këtë arsye, Drejtoria e Kadastrit, Gjeodezisë dhe Legalizimit në Kryeqytet ka kërkuar që për periudhën 1 qershor – 1 shtator të lirohet përkohësisht radhitja automatike e lëndëve, me qëllim përshpejtimin e procedurave dhe uljen e afateve të pritjes për qytetarët.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për bashkatdhetarët tanë, të cilët gjatë muajve të verës qëndrojnë për një kohë të shkurtër në Kosovë dhe kanë nevojë t’i përfundojnë procedurat pronësore brenda afateve të arsyeshme”, thuhet më tej.
Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka kërkuar edhe përmirësime teknike në sistem, në mënyrë që zyrtarët të njoftohen menjëherë për plotësimet nga noterët dhe të shmanget trajtimi paralel i së njëjtës lëndë nga më shumë se një zyrtar.
“Kryeqyteti mbetet i përkushtuar që qytetarët të marrin shërbime sa më efikase dhe pa vonesa të panevojshme”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/


