Presidenti amerikan dërgoi Gardën Kombëtare, pa pyetur Guvernatorin - kjo nuk kishte ndodhur në 60 vjetët e fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump urdhëroi dërgimin e Gardës Kombëtare në rrugët e Los Angelesit pa miratimin e guvernatorit të Kalifornisë, një veprim që nuk ka ndodhur prej gjashtë dekadash.
Herën e fundit që një president amerikan mori një masë të tillë ishte në vitin 1965, para 60 vitesh.
Siç kujton gazeta theguardian, atëherë presidenti Lyndon B. Johnson urdhëroi vendosjen e ushtrisë dhe Gardës Kombëtare në Alabama për të mbrojtur 10 mijë pjesëmarrës në marshin historik nga Selma për të drejtat civile, të udhëhequr nga Martin Luther King.
Johnson vendosi të ndërhyjë pasi guvernatori i atëhershëm i Alabamës, George Wallace – i njohur për qëndrimet e tij segregacioniste – refuzoi të mobilizonte Gardën dhe i përshkroi protestuesit si “agjitatorë të frymëzuar nga komunizmi”.
Gjykata federale vendosi në favor të protestuesve, duke u njohur të drejtën për të marshuar. Meqenëse Wallace refuzoi të ofronte mbrojtje për kolonën, Johnson mori përgjegjësinë dhe e akuzoi publikisht guvernatorin se “ka shmangur detyrën e tij”.
Marshi i tretë nga Selma përfundoi me mbledhjen e 25 mijë njerëzve në kryeqytetin Montgomery, ku u paraqit kërkesa për të drejtën e votës për afro-amerikanët. Ishte një moment kyç në lëvizjen për të drejtat civile, që çoi në miratimin e Ligjit për të Drejtën e Votës në gusht 1965.
Vendimi i Trumpit për të dërguar 2000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles pa kërkesën e guvernatorit Gavin Newsom menjëherë nxiti kritika nga Kalifornia.
Newsom deklaroi se ky veprim ishte “qëllimisht provokues” dhe paralajmëroi se mund të përkeqësonte më tej situatën në rrugë. /Telegrafi/


