Please enter at least 3 characters.

“Pres që të largohem” – Yan Diomande flet mes interesimit të PSG-së dhe Liverpoolit

Sulmuesi anësor i RB Leipzigut, Yan Diomande, ka lënë të kuptohet se largimi i tij gjatë afatit kalimtar veror është shumë i mundshëm, teksa Paris Saint-Germain dhe Liverpool vazhdojnë betejën për nënshkrimin e tij.

19-vjeçari po kalon një periudhë të shkëlqyer edhe me Bregun e Fildishtë në Kupën e Botës 2026, ku përfaqësuesja afrikane do të përballet me Norvegjinë në fazën e 1/16 së finales.

Sipas raportimeve, PSG konsiderohet favorit për transferimin e tij pasi ka arritur një marrëveshje për kushtet personale të një kontrate pesëvjeçare me talentin e ri.

“Në radhë të parë, siç e kam thënë edhe më parë, ëndrra ime është të luaj për vendin tim dhe të shkruaj histori me vendin tim”.

“Nuk kam më Instagram dhe nuk kam TikTok, kështu që nuk shoh asgjë nga ato që shkruhen, por pres që të largohem nga RB Leipzigu, sigurisht”.

“Kam një agjent që do të merret me pjesën tjetër, por për mua gjëja më e rëndësishme tani është të përqendrohem te Kupa e Botës me vendin tim dhe të shkruaj histori me ta”, deklaroi Diomande.

Mbetet të shihet nëse PSG do të arrijë ta mbyllë marrëveshjen përpara Liverpoolit, ndërsa e ardhmja e njërit prej talenteve më të kërkuara në futbollin evropian pritet të vendoset pas përfundimit të angazhimeve të tij në Kupën e Botës./Telegrafi/