Policia sekuestron mjete të mprehta dhe boksa metalikë nga shitësit ambulantë në Pejë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me inspektorët e tregut, ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të mjeteve të mprehta dhe mjeteve të tjera metalike nga disa shitës ambulantë në “Qarshinë e Gjatë” në Pejë.
Sipas njoftimit, aktiviteti policor ka nisur më 5 gusht 2026, kur gjatë kontrolleve në këtë lokacion janë vërejtur shitës ambulantë duke tregtuar mjete të mprehta, boksa metalikë dhe mjete të tjera.
Në kuadër të këtij aksioni, Policia dhe inspektorët e tregut kanë sekuestruar një sasi të këtyre mjeteve.
Kontrollet kanë vazhduar edhe më 12 gusht, në të njëjtin lokacion. Sipas Policisë, inspektorët e tregut, të asistuar nga zyrtarët e Stacionit Policor në Pejë dhe duke respektuar procedurat ligjore, kanë kryer kontrolle te disa persona të dyshuar, përkatësisht shitës ambulantë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
- 86 mjete të mprehta (briskë);
- 19 boksa metalikë;
- 2 shufra metali;
- 3 futrolla thikash.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me personat tek të cilët janë gjetur këto mjete apo për procedurat e mëtejshme ndaj tyre. /Telegrafi/


