Policia në Ferizaj konfiskon pesë furgona dhe një kamion që dyshohet se transportonin dru pa dokumente
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se, në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”, ka ndërmarrë veprime për parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve të realizuara nga njësitet policore në Ferizaj, janë ndaluar dhe konfiskuar pesë furgona dhe një kamion, të cilët dyshohet se transportonin dru pa dokumentacion të rregullt.
Për rastet janë njoftuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejme në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi.
Policia ka bërë të ditur se është konfiskuar edhe masa drusore, ndërsa kontrollet dhe veprimet operative do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e pasurisë pyjore dhe parandalimi i aktiviteteve të kundërligjshme që lidhen me prerjen dhe transportin e druve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka theksuar se mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë natyrore mbetet prioritet i institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjithë qytetarëve. /Telegrafi/


