Policia bastis shtëpinë e të dyshuarit për krime lufte në Zubin Potok, sekuestrohen prova
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vazhduar hetimet lidhur me rastin e dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile, në kuadër të të cilit më 28 korrik ishin arrestuar dy persona.
Sipas njoftimit të Policisë, hetimet lidhen me arrestimin e të dyshuarve me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, të sanksionuar me nenin 142 të Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), për ngjarje të ndodhura në Mitrovicë gjatë luftës.
Me urdhër të Gjykatës Themelore, autoritetet kanë kryer sot bastisje në një lokacion në Zubin Potok, në pronësi të të dyshuarit M.J.
Gjatë kontrollit, Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar prova materiale që, sipas autoriteteve, dëshmojnë se i dyshuari kishte qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.
“Gjatë bastisjes, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi nga të cilat dëshmohet se i dyshuari M.J. ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish-Armatën Jugosllave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar nga njësitë përkatëse, në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, të trajtojë të gjitha rastet penale, përfshirë ato që kanë të bëjnë me krimet e luftës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


