Pogba mund të largohet nga Monaco, vendimi për të ardhmen e tij merret pas përgatitjeve verore
E ardhmja e Paul Pogbas te Monaco është në pikëpyetje, vetëm një sezon pasi mesfushori francez firmosi kontratë dyvjeçare me klubin nga Ligue 1.
Drejtori ekzekutiv i Monacos, Thiago Scuro, ka pranuar se qëndrimi i Pogbas do të varet nga paraqitjet e tij gjatë fazës përgatitore, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi këtë verë.
33-vjeçari iu bashkua Monacos pas një periudhe të vështirë në karrierë, ku vuajti edhe një pezullim për doping, por rikthimi i tij në futboll nuk shkoi sipas pritshmërive. Problemet fizike dhe dëmtimet e kufizuan atë në vetëm gjashtë paraqitje, një titullar dhe vetëm 115 minuta në të gjitha garat.
“Është një temë e ndërlikuar sepse kemi shumë respekt për Paulin dhe për personin që është. Që kur erdhi, ai ka qenë shumë pozitiv. Është e vërtetë që projekti nuk funksionoi siç prisnim, sepse pritshmëritë në fillim ishin ndryshe nga ajo që ndodhi”, deklaroi Scuro.
Drejtuesi i klubit francez bëri të ditur se trajneri i ri Filipe Luis do të ketë fjalën përfundimtare pasi të vlerësojë gjendjen fizike dhe nivelin e Pogbas gjatë përgatitjeve.
“Duhet të jemi të drejtë me të, ta ndjekim çdo javë, të shohim si përparon fizikisht dhe teknikisht. Më pas do të jetë vendimi i trajnerit”, shtoi Scuro.
Edhe Filipe Luis ka folur me superlativa për Pogban, duke e cilësuar si një “lojtar të veçantë” dhe ka bërë të ditur se do të zhvillojë bisedime me të në ditët në vijim.
Megjithatë, Monaco nuk e ka përjashtuar një ndarje gjatë merkatos së verës.
“Do ta shohim gjatë verës se çfarë niveli do të arrijë Pogba. Ndoshta do të qëndrojë, ndoshta do të largohet”, përfundoi Scuro.
Tani gjithçka varet nga rikthimi fizik i kampionit të botës dhe nëse ai do të arrijë ta bindë stafin teknik se ende mund të japë kontribut në nivelet më të larta. /Telegrafi/


