Please enter at least 3 characters.

Plot 355 milionë euro të shpenzuara këtë verë - por ende pa pikë, madje as që kanë gjetur golin

Tottenhami ka qenë një nga klubet më aktive në afatin kalimtar të verës, duke shpenzuar plot 355 milionë euro për rindërtimin e skuadrës. Megjithatë, investimi i madh ende nuk po reflektohet në fushë.

Pas dy xhirove të para të sezonit në Ligën Premier, “Spurs” kanë regjistruar dy humbje, ndërsa një statistikë edhe më shqetësuese është fakti se ende nuk kanë shënuar asnjë gol.

Skuadra londineze e nisi kampionatin me humbjen 3-0 ndaj Brentfordit, ndërsa në xhiron e dytë u mposht në shtëpi nga Newcastle me rezultat 2-0.


Kështu, pas dy ndeshjeve të para, Tottenhami ka bilancin e zymtë prej dy humbjeve, zero pikëve dhe golaverazhit 0-5.

Kjo nisje është veçanërisht zhgënjyese duke marrë parasysh revolucionin e madh që klubi ka bërë gjatë verës. Tottenhami ka investuar 354.7 milionë euro në afrime të reja, duke sjellë emra të njohur për të ndryshuar fytyrën e skuadrës.

Sandro Tonali është transferimi më i shtrenjtë, me Tottenhamin që ka paguar rreth 108 milionë euro për të. Mateus Fernandes u afrua për rreth 99 milionë euro, ndërsa Sávio kushtoi rreth 87.7 milionë euro. Jan Paul van Hecke iu bashkua projektit për 60 milionë euro.

Në skuadër kanë ardhur gjithashtu Andrew Robertson, Marcos Senesi dhe Martin Dúbravka, ndërsa së fundmi edhe Omar Marmoush.

Pavarësisht këtij afati kaliomtar të fuqishëm, rezultati në fushë ka qenë krejtësisht ndryshe nga pritjet. Ekipi i Roberto De Zerbit jo vetëm që ka humbur të dyja ndeshjet, por ende nuk ka arritur të gjejë rrugën drejt golit.

Tottenhami vjen pas dy sezoneve shumë të vështira, në të cilat kishte përfunduar në vendin e 17-të në Ligën Premier, dhe drejtuesit e klubit vendosën të investonin fuqishëm për të shmangur një tjetër sezon zhgënjyes.

Por, fillimi i ri ka qenë larg asaj që pritej: 355 milionë euro të shpenzuara, dy ndeshje të luajtura, dy humbje dhe ende asnjë gol i shënuar. Një alarm i hershëm për Tottenhamin, që tashmë është nën presion për të reaguar. /Telegrafi/