Please enter at least 3 characters.

Pleurat Sejdiu rizgjidhet kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës

U zhvillua mbledhja konstituive e Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), ku pas përfundimit të procedurave sipas Kodit Zgjedhor dhe përmes votimit të anëtarëve, u zgjodh Kryetari i ri i Odës, Dr. Pleurat Sejdiu.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Dr. Sejdiu falënderoi anëtarët e Kuvendit për besimin e dhënë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm. Ai theksoi rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e profesionit mjekësor në Kosovë.

Gjithashtu, me propozim të kryetarit Sejdiu, Kuvendi miratoi edhe zëvendës kryetarët: Dr. Rrezart Halili, Dr. Lauras Idrizi dhe Dr. Kreshnike Dedushi Hoti, të cilët do të mbështesin drejtimin e Odës dhe zbatimin e politikave dhe projekteve të saj.

Ky proces konstituiv shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të strukturave udhëheqëse të OMK-së dhe konsolidimit të rolit të saj në mbrojtjen dhe avancimin e interesave të mjekëve në vend. /Telegrafi/