Planet për vrasjen e Durim Bamit, GJKKO zbardh vendimin - pse refuzoi lirimin e Marklen Hakës
Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin përmes të cilit rrëzoi kërkesën e Marklen Hakës për lirim nga qelitë e burgut. Haka, i njohur edhe me identitetin Markelen Aliu, qëndron në qeli prej shtatorit të vitit të shkuar, kur u arrestua për llogari të operacionit “Revanshi”, operacion që goditi 7 grupe kriminale.
SPAK po e heton 34-vjeçarin nga Fushë-Kruja për tentativën e vrasjes së Durim Bamit, përgatitjen e kushteve për vrasjen e tij, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Sipas vendimit të zbardhur, të siguruar nga A2, Hakës iu refuzua kërkesa për zbutje të masës së sigurisë “arrest në burg”, për shkak se dyshimet e SPAK ndaj tij mbështeten në prova, se ekziston rreziku që të largohet dhe se ka rrezikshmëri shoqërore.
Të interesuar për eleminimin e Bamit ishin edhe disa persona të tjerë, ndërsa në total ishin 12 vetë të përfshirë në këtë plan, si financues, ekzekutues, apo informatorë. Në këtë ngjarje, SPAK pretendon se Marklen Haka ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e Durim Bamit me qëllim vrasjen e tij. Informacionet që kishte Haka i ndante me Emiliano Shullazin.
Ndërsa në atentatin e dështuar ndaj Durim Bamit 4 nëntorin e vitit 2020 tek Ura e Tapizës, Marklen Haka ka pasur rolin e vëzhguesit në zonën e Fushë-Krujës dhe informimin e aktorëve të tjerë të përfshirë. Gjatë planifikimit për këtë ngjarje, porositësi i kishte premtuar 500 mijë euro dy ekzekutorëve për eliminimin fizik të Durim dhe Valter Bamit./A2 CNN


