"Pesë miliardë euro kundrejt 700 milionë"– pse Maqedonia e Veriut po tërheq më shumë investime gjermane se Kosova?
Në “Përballje Podcast”, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, ka krahasuar nivelin e bashkëpunimit ekonomik që ka Maqedonia e Veriut me Gjermaninë, me atë që ka Kosova — duke theksuar se dallimi është i madh dhe tregon nevojën për veprim konkret institucional.
“Maqedonia e Veriut ka pesë miliardë euro qarkullim ekonomik me Gjermaninë, ndërsa ne jemi diku te 700–800 milionë euro. Pesë miliardë me shtatëqind, tetëqind – është shumë pak,” tha Vasolli. Ky podasct përkrahet nga kompaniaEXFIS.
Ai shtoi se Maqedonia ka avancuar në mënyrë të qëndrueshme, veçanërisht në sektorët industrialë dhe të energjisë.
“Ata kanë avancuar shumë në auto-industri dhe energji të ripërtëritshme. Kanë investuar shumë dhe kanë krijuar kushte të qarta për investitorët,” theksoi Vasolli.
Ndërsa në Kosovë, sipas tij, shpesh mbesin vetëm deklaratat pa veprime konkrete.
“Ne shpesh e kemi përmend që investitorët e huaj duhet t’i trajtojmë ndryshe, por përtej këtyre fjalëve deklarative nuk kemi lëvizur shumë,” tha ai.
Një prej arsyeve kryesore pse Maqedonia po i tërheq më shumë investitorë, sipas Vasollit, është funksionimi i mekanizmit “one stop shop”, ku proceset për investitorët janë shumë më të shpejta dhe efikase.
“Në Maqedoni, kur vjen investitori, merren institucionet vetë me të – edhe jashtë shtetit, ai që e krijon mekanizmin, infrastrukturën, të gjitha ato. Nuk është vetëm fjalë, por implementim i plotë,” shpjegoi ai.
Ndërkohë, në Kosovë, pengesat burokratike mbeten një sfidë serioze.
“Ne kemi bërë ligje, kemi bërë strategji, por në implementim gjithmonë kemi çaluar. Nuk është se nuk e dimë çfarë duhet bërë – dimë, por nuk e kemi zbatuar,” tha Vasolli.
Ai shtoi se interesimi i Gjermanisë për Kosovën ekziston, por kërkohet më shumë efikasitet nga ana e institucioneve vendore.
“Çdo ambasador apo investitor që takojmë tregon interes për Kosovën, por na duhet ta kthejmë këtë interes në veprim. Na mungon përkthimi i ideve në rezultate,” përfundoi Vasolli.
Sipas Vasollit, konkurrenca në rajon është e fortë dhe Kosova duhet të reagojë me reforma të shpejta./Telegrafi/.


