Pesë mësime nga fushata kualifikuese e Kosovës për Kampionatin Botëror
Lirim Krasniqi
Lirim Krasniqi
1. Futbolli nuk mbaron në fushë
Fitoret e Kosovës dëshmuan edhe një herë se futbolli është ndër “motorët” më të shpejtë të diplomacisë publike për një shtet të vogël: dukshmëri, kuriozitet dhe lidhje emocionale në masë - brenda pak orësh. Një ndeshje e madhe mund ta bëjë Kosovën “të kërkueshme” në internet dhe të pranishme në media ndërkombëtare në masën që s'e arrijmë me kanale klasike.
Edhe më domethënës është fakti kush bëhet kurioz për ne. Rasti i Sllovakisë, një shtet brenda BE-së që nuk e njeh Kosovën, i jep peshë kësaj vëmendjeje. Për disa ditë, Kosova nuk ishte “pyetje politike” në Sllovaki, por histori sportive dhe njerëzore që një popull i tërë donte ta kuptonte.
2. Brenda vendit, ekipi bëri atë që politika s’e ka bërë prej kohësh - i afroi njerëzit
Sporti është gjuha më e thjeshtë dhe më e kuptueshme për të gjithë. Golat e Kosovës krijuan një hapësirë të rrallë emocionale ku dallimet mes njerëzve u lanë anash dhe u rrit ndjesia e përkatësisë. E, kjo s’është e rëndësishme vetëm për sportin, por edhe për të ardhmen e vendit: besimi dhe shpresa janë kapital social. Kur njerëzit besojnë se mund të arrihet diçka me punë, ndryshon edhe sjellja kolektive e gatishmëria për të punuar e investuar këtu.
Për më tepër, fitoret e fundit ngjallën solidaritet mes shqiptarëve në rajon dhe diasporë si rrallë më parë. Ndërsa për ata që hezitojnë ta mbështesin Kosovën (përfshirë tifo-grupet lokale), kjo fushatë e bëri më të vështirë çdo ekuivok: kur është fjala për shtetin, indiferenca nuk bind.
3. Suksesi i nxori në pah dobësitë institucionale
Një ecuri serioze nuk sjell vetëm emocione pozitive; ajo i teston edhe institucionet. Gjatë kësaj periudhe, Federata e Futbollit e Kosovës u përball me ulje-ngritje dhe kritika të shumta: akuza për ngulfatjen e demokracisë së brendshme, dyshime për organizimin e ndeshjeve si vendas, problemet me biletat dhe raportin e dobët me tifozë në momentet vendimtare. Edhe nëse jo çdo thashetheme është fakt, rëndësi ka modeli: kur ekipi tregon profesionalizëm, toleranca e publikut për dobësi institucionale bie.
Federatat nuk janë vetëm organizata sportive; janë institucione me interes publik. Ato menaxhojnë para, emocione, reputacion shteti dhe simbole kombëtare. Prandaj, transparenca, gjithëpërfshirja, komunikimi profesional dhe angazhimi serioz duhet të jenë në nivelin e ambicies. Një ekip i niveleve botërore kërkon qeverisje të niveleve botërore.
4. Lojtarë të klasit botëror - infrastrukturë e dobët dhe jo dinjitoze
Stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson standardet bazë të UEFA-s dhe FIFA-s, por sfida është tjetër: stadiumet sot janë simbole arkitekturore kombëtare, burime të mëdha të hyrash financiare dhe hapësira ku ndërtohet kultura qytetare. Kapaciteti, dizajni, zonat e tifozëve, lokalet komerciale, hapësirat rekreative - të gjitha e përcaktojnë sa “e madhe” ndihet një ngjarje.
Me arritjet që i kemi sot në futboll, nevojitet infrastrukturë që e zmadhon dhe jo kufizon suksesin.
5. Diaspora s’është vetëm emocion - është përparësi konkurruese
Kosova ka një avantazh që shumë vende s’e kanë: talent, rrjete dhe eksperiencë të krijuar në ekosisteme evropiane dhe botërore. Ky është kapital i jashtëzakonshëm, nëse menaxhohet si duhet: për talent pipeline, për sponsorizim, për reputacion dhe për soft power. Kjo nuk vlen vetëm për lojtarët që luajnë për Kosovën, në një ambient ku nuk duhet të ketë rëndësi “nga vjen kush”. Vlen edhe për mbështetjen në ndeshjet si mysafir: diaspora është aty kudo që luan Kosova, dhe kjo është diçka që duhet jo vetëm shënuar, por edhe kultivuar.
Momentum ideal për ta “konvertuar” në punë
Kjo fushatë na dha krenari, por edhe na vendosi në pasqyrë. Euforia sportive bie shpejt, prandaj kjo energji duhet të përkthehet në hapa konkretë: investime në infrastrukturë më dinjitoze, qeverisje më transparente dhe masivizim i sportit. Hapi i radhës s’është vetëm një ekip ma i fortë, por institucione edhe ma të forta pas ekipit.
(Autori është bashkë-drejtues i organizatës GERMIN dhe konsulent zhvillimi; udhëheq projekte dhe iniciativa për angazhimin e diasporës në zhvillim dhe diplomaci publike, me fokus te reputacioni ndërkombëtar i Kosovës dhe lidhjet e saj me komunitetet jashtë vendit)


