Pesë finalistët e spektaklit 'Ferma VIP 3' - kush prej tyre do të jetë fituesi i këtij edicioni?
Pas muajsh të mbushur me sfida, debate, dinamika dhe surpriza, “Ferma VIP 3” ka hyrë zyrtarisht në javën e finales, ndërsa tashmë janë bërë të ditur pesë emrat që do të garojnë për çmimin e madh të këtij edicioni.
Mbrëmjen e fundit u kompletua lista e finalistëve, duke vulosur kështu fazën më të rëndësishme të spektaklit.
Finalistja e parë që siguroi një vend në natën finale ishte Mimoza Ahmeti. Poetja dhe shkrimtarja arriti të kalojë në finale falë mbështetjes së publikut, duke u kthyer në një nga personazhet më të komentuara të këtij sezoni.
Gjatë qëndrimit të saj në fermë, Ahmeti tërhoqi vazhdimisht vëmendjen me deklaratat e forta, debatet e shumta dhe personalitetin e saj unik, duke krijuar momente që u diskutuan gjerësisht në publik dhe rrjetet sociale.
Ndërkohë, në spektaklin e së enjtes u zbuluan edhe katër finalistët e tjerë që do të luftojnë për trofeun e “Ferma VIP 3”. Ata janë: DJ Bujaka, Soni Malaj, Elvis Pupa dhe Ilir Shaqiri
Me përzgjedhjen e pesë finalistëve, gara tashmë hyn në fazën vendimtare, ku gjithçka do të varet nga votat e publikut.
Televotimi është zyrtarisht i hapur dhe publiku do të ketë mundësinë të vendosë se cili prej finalistëve meriton të shpallet fitues i “Ferma VIP 3”. Çdo votë pritet të ketë peshë të madhe në rezultatin përfundimtar, ndërsa diferencat mes konkurrentëve mund të jenë minimale.
Finalja e madhe do të mbahet më 15 qershor, kur edhe do të zbulohet emri i personazhit që do të triumfojë në edicionin e tretë të spektaklit dhe do të rrëmbejë çmimin e madh. /Telegrafi/


