Please enter at least 3 characters.

Pesë euro për një selfie, 110 euro për parking - si po i kundërpërgjigjet Zvicra masës së turistëve

Turizmi në Zvicër ka shënuar rritje të vazhdueshme pas përfundimit të pandemisë, duke arritur një rekord prej 44 milionë fjetjesh në hotele gjatë vitit 2025. Grupin më të madh të vizitorëve e përbëjnë vetë zviceranët, të ndjekur nga gjermanët, amerikanët dhe britanikët. Ky fluks, i njohur si “overtourism” (mbi-turizëm), ka nxitur diskutime dhe masa të reja menaxhimi në disa rajone të vendit.

Në qytetin e Luzernit, i cili vitin e kaluar regjistroi 1,4 milionë fjetje dhe rreth 9 milionë vizitorë ditorë, numri i turistëve për banor ka kaluar atë të Venedikut. Ky fluks pasqyrohet edhe në një dokumentar të televizionit publik të Zvicrës, të emituar së fundi.

Për të menaxhuar trafikun e autobusëve që sjellin turistë në qendër të Luzernit, që nga viti 2025 është vendosur një tarifë prej 100 frangash (110 euro) për çdo ndalesë, raporton sfr.

Kjo masë ka reduktuar përgjysmë numrin e autobusëve në një shesh qendror të qytetit. Si zgjidhje afatgjatë po shqyrtohet projekti i një teleferiku që do të lidhë zonën veriore periferike me qendrën e qytetit, për të cilin banorët do të votojnë gjatë këtij viti.

Paralelisht me këtë, një iniciativë qytetare e Luzernit po grumbullon nënshkrime për të ngrirë numrin aktual të shtretërve në hotele. Masat rregulluese kanë prekur edhe zona të tjera të Zvicrës. Shembulli i parë ka të bëjë me fshatin Iseltwald pranë liqenit Brienzersee në Malësinë e Bernit: Ky fshat është bërë i njohur nga një serial i Koreas së Jugut. Si pasojë, qindra-mijëra turistë nga mbarë bota, e sidomos nga Azia, vijnë në Iseltwald vetëm për një selfie.

Komuna ka vendosur një tarifë prej 5 frangash (pak mbi 5 euro) për qasjen në shtegun mbi liqen ku realizohen fotografi. Shembulli i dytë gjendet në kantonin Appenzell Innerrhoden:

Autoritetet lokale synojnë të rrisin tarifën e parkimit në 30 franga në ditë në pikat më të frekuentuara nga alpinistët. Shembulli i tretë vjen nga fshati alpin Lauterbrunnen: Ky rajon ka shënuar rritje të vëmendjes pas shpërndarjes së një videoje promovuese në platformën X nga Elon Musk, e cila arriti 50 milionë shikime.

Në nivel kombëtar, organizata “Schweiz Tourismus” ka nisur fushatën “Travel with care. Leave with memories” (Udhëtoni me kujdes. Largohuni me kujtime), përmes së cilës udhëtarët udhëzohen të respektojnë pronën private dhe të hedhin mbeturinat në vendet e caktuara, me qëllim që popullsia vendase të ketë mirëkuptim për turistët. /Telegrafi/