Please enter at least 3 characters.

Përshkallëzim i ri në kufirin mes Izraelit dhe Libanit - sulme ajrore dhe plagosje nga të dyja palët

Situata në kufirin mes Izraelit dhe Libanit është përkeqësuar ndjeshëm, pasi përleshjet mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut kanë rifilluar me intensitet, duke rrezikuar edhe marrëveshjen e brishtë të armëpushimit të ndërmjetësuar më herët nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), dymbëdhjetë ushtarë izraelitë janë plagosur pas një sulmi me dron të kryer nga Hezbollahu ndaj një pozicioni artilerie pranë komunitetit Shomera, në veri të Izraelit, përgjatë kufirit me Libanin.

Autoritetet ushtarake izraelite bëjnë të ditur se dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje mesatare, ndërsa pjesa tjetër ka marrë lëndime të lehta dhe është në gjendje të qëndrueshme, shkruan timesofisrael.

Në përgjigje të këtij sulmi, aeroplanë luftarakë izraelitë kanë ndërmarrë bombardime ajrore në disa zona të ndryshme në jug të Libanit, duke shënjestruar, sipas IDF-së, infrastrukturë të lidhur me Hezbollah.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Libanit ka raportuar se sulmet izraelite kanë shkaktuar vdekjen e nëntë personave, mes tyre edhe dy fëmijë, si dhe dëmtime të konsiderueshme materiale në zonat e goditura.

Përshkallëzimi i fundit vjen në një moment të tensionuar në rajon, ku përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur armëpushimin po duken gjithnjë e më të brishta, ndërsa shkëmbimet e zjarrit mes palëve po vazhdojnë me intensitet të lartë. /Telegrafi/