Përplasje verbale mes dy asamblistëve në seancën e Kuvendit të Pejës
Kuvendi i Komunës së Pejës ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt për vitin 2026, të udhëhequr nga kryesuesi i Kuvendit, Rexhep Kurtbogaj.
Në prezencë të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u diskutuan disa pika të rendit të ditës, përfshirë buxhetimin e komunës, projektin për furnizim me 65 traktorë për fermerët përfitues, raportin e punës së kryetarit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, raportet financiare, si dhe raportin e auditimit për vitin 2025.
Po ashtu, gjatë mbledhjes u shqyrtua edhe informata nga Drejtoria Komunale e Arsimit për përfundimin e vitit shkollor, testin e arritshmërisë dhe testin e maturës, si dhe çështje të tjera të ngritura nga anëtarët e Kuvendit.
Gjatë pjesës së fundit të seancës ka ndodhur një përplasje verbale mes asamblistit të AAK-së, Shaban Ramaj, dhe atij të LDK-së, Atdhe Berisha, derisa asamblisti i AAK-së, Drin Veselaj, ishte duke folur në foltoren e Kuvendit.
Pas përfundimit të kohës së diskutimit të Veselajt, sipas pamjeve nga transmetimi i seancës, janë krijuar tensione mes dy asamblistëve, ndërsa transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjes është ndërprerë.
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka deklaruar për Telegrafin se deri në këto momente nuk ka pasur raportim apo inicim të ndonjë rasti.
“Nuk jemi në dijeni, nuk ka të raportuar as të iniciuar”, ka thënë Gashi.
Në videon e mëposhtme mund ta shihni momentin e përplasjes, e cila ndodhi rreth minutës 10:17 të transmetimit të seancës. /Telegrafi/


