Përplasja në Vlorë, dyshohet për një të plagosur
Përplasja fizike mes dy biznesmenëve, V.B. dhe L.M., në Vlorë, dyshohet se pati dhe të plagosur me armë zjarri.
Burime pranë grupit hetimor i thanë Tv Klan se nga të shtënat me armë zjarri të shoqëruesit të biznesmenit të dhunuar, V.B., ka dyshime se është plagosur një prej personave që shoqëronte sipërmarrësin L.M..
Nga verifikimet e deritanishme të hetuesve, i dëmtuari nuk ka marrë ndihmë në asnjë prej spitaleve në vend, teksa po punohet edhe për identifikimin e tij.
Nga ana tjetër, policia ka arrestuar A.B. si personin që ka qëlluar me një pistoletë të cilën e zotëronte me leje V.B., teksa në pranga ka përfunduar dhe biznesmeni L.M. dhe 3 shoqërues të tij.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim 6 persona të tjerë, të cilët shoqëronin sipërmarrësin L.M., ndërsa janë shpallur në kërkim dhe 4 automjete.
Deri në këtë fazë, policia ende nuk e ka përcaktuar zyrtarisht motivin e përplasjes së biznesmenëve.
Nga njëra anë V.B. pretendon se i është vënë gjobë në vlerën e 5 milionë eurove, ndërsa biznesmeni L.M. ka deklaruar se sherri ka nisur për një mosmarrëveshje pronësie për një tokë në jug të vendit.
Konflikti mes sipërmarrësve u regjistrua paraditen e së enjtes në resortin në pronësi të biznesmenit V.B., ku në përplasje u përfshinë rreth 20 persona, roli i të cilëve ende nuk është përcaktuar plotësisht./Tv Klan


