Përkujtohen viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës
Të premtën është mbajtur një ngjarje përkujtimore me rastin e 31-vjetorit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Përfaqësues të institucioneve në vend, përfaqësues të organizatave të ndryshme, pjesëtarë të komunitetit boshnjak, u mblodhën për të nderuar kujtimin e më shumë se tetë mijë viktimave boshnjake të vrara në korrik të vitit 1995.
Ceremonia nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit, ndërsa organizatorët theksuan se masakra e Srebrenicës mbetet një nga krimet më të rënda në historinë bashkëkohore të Evropës.
Në fjalën hyrëse u tha se tubimi shërben për të shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe për të kujtuar se edhe qytetarët e Kosovës kanë përjetuar masakra dhe krime nga i njëjti regjim.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu tha se me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, nderuan kujtimin e 8372 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë në një nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
“Srebrenica mbetet një kujtesë e dhimbshme se dështimi për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të vepruar në kohë ka pasoja tragjike. Kujtesa për viktimat dhe e vërteta për krimin janë detyrim moral që nuk zbehet me kalimin e kohës. Në fjalën time theksova se si qytetarë të Kosovës e kuptojmë peshën e humbjes, dhimbjes dhe rëndësinë e drejtësisë. Prandaj qëndrojmë pranë familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre që vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën për Srebrenicën. Mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të dënuar të luftës nuk mund të kenë vend në një shoqëri që synon paqe, demokraci dhe pajtim. Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, në kuadër të ceremonisë u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër kushtuar Gjenocidit të Srebrenicës.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe delegati në Dhomën e Popujve të Parlamentit të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Xhemal Smajiq, si dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. /Telegrafi/


