Peja, në Samokov për fitore
Bullgarët në dy ndeshjet e para kanë shënuar po aq fitore, ndërsa fakti që sot luajnë para tifozëve të tyre i bën edhe më optimistë për ta vazhduar serinë pozitive. Në ndeshjen e parë ata e mposhtën Sutjeskën me shifrat 78:68, ndërsa në të dytën fituan me rezultat të ngushtë 83:81 ndaj Teodos, shkruan Arena.
Ndërkaq, Peja aventurën e sivjetme në BIBL e nisi me fitoren ndaj Kumanovos (89:88), pastaj u mposht në Nikshiq nga Sutjeska (84:86) dhe së fundi e mposhti Teodon me rezultat 77:69. Pra, Rilski dhe Peja fitoret e deritashme i kanë shënuar me rezultat të ngushtë, madje pejanët me Teodon fituan pas vazhdimit prej pesë minutave, prandaj me gjasë edhe sonte do të jetë përballje me rivalitet të madh dhe e vështirë për t’u parashikuar fituesi.
Moçnik nuk e fsheh optimizmin
Në tri ndeshjet e para skuadra e trajnerit Boris Kurtoviq tregoi lojë mjaft të mirë, por në momentet më kritike pati probleme me përqendrimin dhe kjo ishte arsyeja që pësoi humbje nga Sutjeska, ndërsa diçka e tillë ka mundur t’i ndodhë edhe në dy takimet në “Karagaçi”. Mirëpo, basketbollistët pejanë besojnë se tashmë janë komponuar më mirë dhe nuk do të kenë probleme të kësaj natyre. Plejmejkeri slloven Jan Moçnik, është shprehur i vetëdijshëm për cilësinë e rivalit, por po ashtu beson në mundësitë e skuadrës së tij. “E dimë që Rilski është skuadër shumë e mirë. Në Ligën Ballkanike deri tani i ka fituar dy ndeshje, të dyja në shtëpi. Presim të jetë një ndeshje e fortë dhe me lojë të mirë”, ka thënë fillimisht Moçnik.
Pa marrë parasysh cilësinë e rivalit, ai beson në fitore. “Ne do të japim çdo gjë nga vetja për të shënuar fitore dhe do të luftojmë deri në fund. Gjithçka varet se si do të luajmë ne, por unë besoj se në shtëpi do të kthehemi me dy pikë”, ka shtuar plejmejkeri slloven.
Veseli nuk ia ka frikën Rilskit
Njëri ndër lojtarët më të mirë te Peja në këtë edicion, Alban Veseli, po ashtu është optimist se Rilski Sportist mund të mposhtet edhe kur luan para tifozëve të saj. “Nuk ka dyshim se na pret ndeshja më e vështirë në pjesën e deritashme të Ligës Ballkanike, prandaj një fitore eventuale për ne do të ishte shumë e rëndësishme”, ka thënë Veseli, i cili më pas ka vazhduar: “Rilski është ndër skuadrat që e synon kreun e tabelës dhe deri tani nuk ka pësuar humbje. Mirëpo, kjo duhet të jetë vetëm një motiv shtesë për ne, pasi nëse dëshirojmë të arrijmë suksesin përfundimtar, atëherë duhet t’i mposhtim edhe rivalët më të fortë. Për këtë arsye them se nëse fitojmë në këtë ballafaqim, atëherë do të ishim shumë më të qetë në vazhdim të garës”. Veseli ka bërë të ditur se nuk është shumë e sigurt paraqitja e kroatit Hrvoje Puljko, i cili për shkak të një lëndimi nuk ka stërvitur disa ditë, por pa marrë parasysh mungesën eventuale të tij, verdhezinjtë janë optimistë se do të kthehen me fitore.
Skuadra tjetër kosovare që luan në BIBL, Sigal Prishtina, nesër është mysafire e Kozuvit, ndërsa kampioni i Shqipërisë, Vllaznia, e pret skuadrën rumune Craiova.


