Peja fiton projektin evropian “FAIR GAME”, synohet fuqizimi i vajzave përmes sportit
Komuna e Pejës është shpallur fituese e projektit evropian “FAIR GAME”, një iniciativë që synon fuqizimin e grave dhe vajzave përmes sportit.
Ky projekt financohet nga programi i Bashkimit Evropian dhe ka në fokus promovimin e barazisë gjinore, përfshirjen sociale dhe luftimin e diskriminimit, si në sport ashtu edhe në jetën publike.
Projekti do të udhëhiqet nga Komuna e Pejës në partneritet me organizata ndërkombëtare dhe lokale, duke përfshirë aktivitete konkrete si punëtori edukative, fushata vetëdijësuese dhe angazhim komunitar.
Përmes këtij projekti synohet krijimi i hapësirave të sigurta për vajzat, zhvillimi i tyre personal dhe rritja e përfaqësimit të grave në sport. Po ashtu, projekti pritet të ndikojë drejtpërdrejt në thyerjen e stereotipeve gjinore dhe në rritjen e mundësive për vajzat në sport.
Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Pejës, Xhenet Syka-Kelmendi, ka thënë për Telegrafin se ky projekt synon të fuqizojë femrat në sport dhe të krijojë barazi me kategorinë e meshkujve.
“Në fakt projekti “FAIR GAME” është projekt i sponsorizuar nga Bashkimi Evropian ku ku përveç Pejës e cila prezanton Republikën e Kosovës, marrin pjesë Italia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia (e Veriut) bashkë me Portugalinë dhe kjo ka të bëjë me masovizimin e sporteve te vajzat. E e shoh si një ditë të madhe për Pejën. Kemi tri profesoresha të jashtëzakonshme që nuk kanë kursyer asgjë nga puna dhe përkushtimi i tyre. Na ka ndihmuar edhe Fondacioni i UEFA-së, me Armenda Filipajn”, tha ajo.
Ndërkaq, Armenda Filipaj, ka theksuar rëndësinë e rritjes së numrit të ekipeve të vajzave.
“Është kënaqësi me pas sa më shumë ekipe të vajzave, sa më shumë forcimin e ekipeve ekzistuese të vajzave, sepse duke u pas sa më shumë ekipe, kemi edhe garën më të fortë edhe vetëdijesimin e plotë të qytetarëve që me pa edhe me ndjek edhe me dashtë futbollin e vajzave, njësoj si kur qysh e doJnë edhe çmendën atë futbollin të djemve”, tha ajo.
Në kuadër të këtij projekti është bërë edhe prezantimi zyrtar i klubit KFV “Peja”, klubi i parë për femra në këtë komunë.
Syka-Kelmendi ka bërë të ditur se drejtoria që ajo udhëheq do ta mbështesë klubin me të gjitha kapacitetet në dispozicion, ndërsa ka pranuar edhe fanellën e parë si shenjë mirënjohjeje nga themelueset e klubit. /Telegrafi/


