Please enter at least 3 characters.

PDK mirëpret shfuqizimin e Ligjit për KPM-në: Koha e kapjes së shtetit po mbaron

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka quajtur lajm shumë të mirë shfuqizimin e Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese.

PDK përmes një komunikate tha se Kushtetuesja e vërtetoi edhe një herë se pushteti në ikje ka shkelur Kushtetutën!

“Vendimi për ta shpallur Ligjin nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave si anti-kushtetues është dëshmi e qartë se qeverisja e kaluar e ka përdorur shumicën parlamentare për të kapur institucionet e pavarura, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe demokratike”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, ky nuk është rasti i parë që Gjykata Kushtetuese e rrëzon një ligj të këtij pushteti në ikje. Me këtë qasje anti-kushtetuese kanë qeverisur - dhe me të edhe po ikin.

“PDK e mirëpret këtë vendim dhe riafirmon zotimin tonë për të garantuar liri të mediave, pavarësi institucionale dhe sundim të ligjit. Koha e kapjes së shtetit po mbaron”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi gjeti se disa nene të ligjit, nuk janë përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Lënda është dërguar nga Kushtetuese deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por gjykata i ka bashkuar këto kërkesa në një rast të vetëm.

Ligji për KPM-në ishte miratuar më 11 korrik 2024 në Kuvendin e Kosovës, pa pjesëmarrjen e partive opozitare në votim.

Nënparagrafët që u gjetën se nuk janë në përputhje me ligjet kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit, kompetencat e KPM-së, rregullimi i pronësisë së të ligjensuarve dhe disa pika të nenit që ka të bëjë me sanksionet dhe gjobat.

Parashtruesit e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për KPM-në kanë argumentuar se ai është miratuar pa konsultime publike. Në vendimin e Kushtetueses u tha se nuk kërkohet vetëm plotësimi i aspekteve formale për konsultime publike, por që ato duhet të përfshijnë “debate përmbajtësore” lidhur me të gjitha aspektet e një nisme ligjore.

Sa i përket pjesëve të ligjit, që flisnin për shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së, Kushtetuesja gjeti se dy nënparagrafë, që ka të bëjë me kriterin për shkarkim sikurse “humbja e besimit” dhe ai i “cenimit të integritetit” apo “qëndrimeve të anshme”, bien ndesh me nenin 7 të Kushtetutës. /Telegrafi/