PDK mblidhet sot, a do të rikthehet Fatmir Limaj në listën zgjedhore?
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të mblidhet sot në orën 16:00, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë çështja e rikthimit të Fatmir Limajt në strukturat zgjedhore të partisë dhe përfshirja e tij në listën për deputetë.
Kështu është raportuar nëpër media, derisa ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar.
Mbajtjen e takimit të Kryesisë e ka konfirmuar për Telegrafin, ish-deputeti i kësaj partie, Mergim Lushtaku.
Fatmir Limaj, të premten, i ka dërguar një letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, përmes së cilës ka kërkuar që të përfshihet në listën e kandidatëve për deputetë pa asnjë kusht.
Kjo kërkesë ka nxitur reagime brenda partisë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka deklaruar se është në favor të rikthimit të Fatmir Limajt në këtë subjekt politik, duke theksuar se kjo çështje duhet të trajtohet nga organet vendimmarrëse të partisë.
Lushtaku ka thënë se personalisht e mbështet këtë ide, por vendimi përfundimtar i takon Kryesisë së PDK-së.
Fatmir Limaj, i cili konsiderohet një nga themeluesit e PDK-së, shihet nga mbështetësit e tij si një figurë që mund ta fuqizojë partinë në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit. /Telegrafi/


