Pastrohen semaforët në Prishtinë, synohet rritja e sigurisë dhe dukshmërisë në trafik
04/09/2026
Drejtoria e Mobilitetit ka njoftuar se janë realizuar punë të mirëmbajtjes dhe pastrimit në disa nyje të rëndësishme të trafikut në Prishtinë.
Sipas njoftimit, gjatë ndërhyrjeve është bërë pastrimi i nyjeve semaforike, largimi i banerëve nga shtyllat, si dhe pastrimi i llupave reflektuese.
Këto të fundit janë pastruar me qëllim të rritjes së ndriçimit dhe përmirësimit të dukshmërisë së dritave dhe numëruesve të semaforëve.
Nga Drejtoria e Mobilitetit kanë thënë se ndërhyrjet synojnë të kontribuojnë në siguri më të madhe në komunikacion dhe dukshmëri më të mirë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. /Telegrafi/


