Please enter at least 3 characters.

Pas Simiq, dështojnë edhe kandidatët e tjerë për nënkryetar nga komuniteti serb

Pas dështimit të Slavko Simiq për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb, e njëjta ndodhi edhe me kandidaten Verica Çeraniq.

Simiq dështoi tri herë radhazi të votohet, ndërkaq Çeraniq u përzgjodh me short për shkak se Lista Serbe nuk propozonte tjetër kandidat përveç Simiqit.

Verica Çeraniq, në raundin e parë të votimit nuk mori asnjë votë për madje as nga kolegët e saj partiak, 51 vota ishin kundër dhe 20 abstenime.

Edhe në raundin e dytë të votimit, ajo pati të njëjtat vota.

LVV dhe deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj votuan kundër, deputetët e PDK-së abstenuan kurse ata të LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë fare në votim.

Në votim nuk morën fare pjesë as deputetët e Listës Serbe.

Shorti u hodh sërish, dhe pas Verica Çeraniq në votim për nënkryetar u hodh Stefan Kovaçeviq.

Kovaçeviq gjithashtu nuk mori votat e mjaftueshme. Ai kishte 48 vota kundër, 19 abstenime dhe asnjë votë për.

Pas Kovaçeviq nga shorti u zgjodh Ljiljana Stefanoviq, por e njëjta refuzoi që të votohet për të dhe e njëjta u hoq nga lista.

Verica Çeraniq u zgjodh sërish përmes shortit, por e njëjta refuzoi ti nënshtrohet votimit për nënkryetare të Kuvendit dhe u eliminua nga lista.

Radha për tu hedhur në votim ishte e deputetit Nenad Rashiq. As Rashiq nuk arriti të zgjidhet nënkryetar në raundin e parë. Ai mori vetëm 55 vota për, 1 kundër dhe 17 abstenime.

Pas kësaj kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka ndërprerë punimet e seancës së sotme për të vazhduar të enjten. /Telegrafi/