Pas Lewis Capaldi-t, Sunny Hill Festival zbulon emrin e ri që vjen në Prishtinë – artisti italian Blanco i bashkohet listës së artistëve të njohur
Pasi u bë e ditur se artisti i njohur skocez Lewis Capaldi do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, organizatorët kanë zbuluar edhe një emër të ri.
Listës së artistëve me famë botërore që do të performojnë në Kosovë i është bashkuar edhe këngëtari italian Blanco.
Blanco është një nga artistët më të suksesshëm të muzikës italiane, i njohur për stilin e tij unik si dhe për zërin e tij karakteristik.
Në vitin 2022, ai përfaqësoi Italinë në Eurovision Song Contest së bashku me Mahmood, me këngën "Brividi", e cila u vlerësua shumë nga adhuruesit e festivalit.
Përveç hitit "Brividi", repertori i tij muzikor përfshin edhe këngë shumë të njohura si "Ricordi", "Mi fai impazzire", "Piangere a 90" dhe shumë të tjera, derisa transmetimet e tij në Spotify kapin shifra prej qindra milionave.
Sunny Hill Festival do të nisë më 31 korrik dhe do të vazhdojë edhe më 1 dhe 2 gusht, duke sjellë tri net të paharrueshme me performanca të artistëve global si dhe vendor.
Organizatorët pritet të zbulojnë edhe emra të tjerë që do t'i bashkohen edicionit të këtij viti.


