Pas 14 vitesh luhet derbi më i madh i Ligës së Kampionëve: Statistikat mes Real Madridit dhe Milanit do t'ju befasojnë
Sonte na rikthehet Liga e Kampionëve dhe kjo sjell derbin e shumëpritur mes dy skuadrave evropiane më të trofeshme në këtë garë elitare, Real Madrid dhe Milan, dhe kjo pas plotë 14 vitesh pritjeje. Edhe pse Milani kaloi një periudhë të vështirë pas largimit të Silvio Berlusconit nga posti drejtues në klub, duelet kundër Real Madridi tërheqin gjithmonë shumë vëmendje.Është një duel mes skuadrave me më shumë trofe në Ligën e Kampionëve. Real Madridi është i paprekshëm në krye me 15 tituj të Ligës së Kampionëve, ndërsa Milani është klubi i radhës me 7 trofe. Është interesante se këto dy skuadra kanë fituar më shumë se 30 për qind të edicioneve të Ligës së Kampionëve. Nga 69 gara, këto dy skuadra kanë së bashku 22 trofe.
Fitoren më bindëse në këtë rivalitet Milani e ka arritur në vitin 1989, kur sundoi futbollin evropian, teksa mundi Real Madridin 5-0 në “San Siro”. Ai brez i famshëm i Milanit festoi me golat e Carlo Ancelotti, Frank Rijkaard, Ruud Gulit, Marco Van Basten dhe Roberto Donadoni.


