Paraqitja e prokurimit publik dhe rëndësia e aplikimit të parimeve të prokurimit publik
Prokurimi publik në përgjithësi është një fushë dhe aktivitet i ri që paraqitet në shtetet bashkëkohore, e sidomos në shtetet të cilat kanë pasur trende të zhvillimit të hovshëm nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut.
Paraqitja e prokurimit publik është nevojë imanente për qeveritë e shteteve moderne dhe bashkëkohore, sepse çdo qeveri është blerëse e madhe e mallrave, shërbimeve dhe kryerjes së punëve.
Nocionin e prokurimit publik kanë arritur ta përpunojnë shumë shkencëtarë nga fusha e ekonomisë dhe e financave, punëtorë shkencor, profesorë universiteteve të ndryshme të botës, ekspert ligjor të cilët punojnë në hartimin e ligjeve të prokurimit publik nëpër shtete të ndryshme të botës.
Prof. Dr Sue Arroësmith – Prokurimin publik e definon si blerje nga ana e organeve qeveritare prej ofertuesve të jashtëm të mallrave dhe shërbimeve, ku këto organe duhet ti kryejnë sipas rregullave detyrat që kanë të bëjnë me shërbimet publike.
Dr. Tina Erzen prokurimin publik e definon si aktivitet të institucioneve publike-shtetërore lokale dhe institucioneve që udhëhiqen nga e drejta juridike, ku fondet publike shpenzohen për sigurimin e të mirave për interesin publik ose të përbashkët.
Në Republikën e Kosovës baza ligjore e prokurimit publik është e rregulluar me dy akte juridike si dhe njëherit definicioni është rregulluar me këto akte: me instruksionin e administrimit financiar (Rregullore e nxjerrë nga UNMIK-u) dhe me ligjin mbi prokurimin publik të Republikës së Kosovës.
Me instruksionin e administrimit financiar prokurimi publik definohet si blerje ose shitje e mallrave, punëve ose shërbimeve, duke përfshirë qiratë pa kufizimin e tyre, kërkesat për blerje, kërkesat e përhershme, lëshimin e licencave ose koncesioneve që priten të realizohen në të ardhura neto në buxhetin e Kosovës dhe përfitimet e shpronësimeve të tjera që janë në pronësi shtetërore apo publike përmes cilit do instrument të kontraktimit.
Me ligjin për prokurimin publik të Kosovës prokurimi publik definohet si: çdo aktivitet që ndërlidhet me fillimin ose ekzekutimin e një procedure ose një aktiviteti tjetër që shpije ose ka për qëllim të shpije drejt dhënies së një kontrate publike.
Paraqitja e prokurimit publik për herë të parë në Evropë dhe në Kosovë
Prokurimi publik si aktivitet i cili ndërlidhet me fillimin ose ekzekutimin e një kontrate që ka për qëllim furnizimin më mallra, kryerjen e ndonjë shërbimi ose kryerjen e ndonjë pune nga ana e institucioneve publike dhe shtetërore, paraqitet për herë të parë në Evropë në fillim të shekullit të XX, në shtetin e Italisë, ku kjo fushë rregullohet përmes “Royal Decree“ Nr. 2440 të datës 18 tetor 1923. Më pas prokurimi publik si nevojë imanente u paraqit edhe në vendet tjera të Evropës si në Poloni me 1933, në Estoni më 1934, në Çeki legjislacioni modern për herë të parë u hartua në vitin 1991, në Republikën e Shqipërisë më 1993, në Republikën e Maqedonisë më 1998, ndërsa në Main e Zi në vitin 2001.
Në Kosovë Prokurimi publik si fushë tejet specifike për një shtet të ri ka filluar të paraqitet menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Bazat e instalimit të prokurimit publik në Kosovë i kanë vendosur ndërkombëtarët përmes misionit të OKB në Kosovë që është quajtur UNMIK, ku UNMIK-u me 15 dhjetor 1999 ka nxjerr një akt juridik me të cilin e rregullon fushën e prokurimit publik në Kosovë dhe ky akt njihet me emrin “Instruksioni i Administrimit Financiar“ nr. 2/1999 mbi prokurimin publik në Kosovë.
Më vonë pas konstituimit dhe forcimit të institucioneve të Kosovës, parlamenti i Kosovës e rregulloi këtë fushë me ligj të veçantë i cili ka hyrë në fuqi më 9 qershor 2004 dhe njihet me emrin Ligji për Prokurimin Publik në Kosovës, me 6 qershor 2007 ky ligj është amendamentuar dhe njëherit është punuar më tepër në atë drejtim që legjislacioni i cili e rregullon këtë fushë në Kosovë të jetë në harmoni të plotë më legjislacionin evropian, në mënyrë që të mos kemi pengesa ligjore në integrimin e Kosovës në mekanizmat evropian.
Infrastruktura ligjore në Republikën e Kosovës sa i përket fushës së prokurimit publik është e rregulluar me këto akte: Instruksioni I Administrimit Financiar rregullore e UNMIK-ut dhe Ligji për prokurimin Publik i nxjerrë në vitin 2003 dhe i amendamentuar në vitin 2007, vitin 2009, vitin 2010 dhe në vitin 2011 në mënyrë që të kemi një ligj i cili është i harmonizuar më fushën e prokurimit publik të BE-së.
Parimet e prokurimit publik - Sikurse çdo shkencë, disiplinë shkencore dhe ligj që i ka parimet e veta ashtu edhe ligji për prokurimin publik i ka parimet e veta me të cilat e zhvillon aktivitetin e prokurimit publik, si dhe njëherit i garanton çdo autoriteti kontraktues se për të zhvilluar një aktivitet të prokurimit publik duhet të respektohen këto parime të prokurimit publik: transparenca, konkurrenca, mosdiskriminimi dhe profesionalizmi.
Transparenca - si parim i ligjit të prokurimit publik të Kosovës nënkupton çdo aktivitet prokurues i cili zhvillohet ose kryhet nga ana e ndonjë autoriteti kontraktues që lidhin kontrata të mesme ose të mëdha duhet të përdoren procedurat e hapura, të kufizuara ose të negociuara pas publikimit të njoftimit të kontratës.
Autoriteti kontraktues sipas ligjit për prokurimin publik të Kosovës, atëherë kur lidh kontratë me vlerë të mesme ose të madhe është i obliguar që këtë kontratë ta bëjë publike në shtypin ditorë që është në Kosovë dhe në web faqe të prokurimit publik të Kosovës.
Për të qenë transparenca në nivel, atëherë autoriteti kontraktues është i obliguar që në bazë të ligjit të prokurimit publik ti përgatitë të gjitha dosjet e tenderëve, ftesat dhe dokumentet tjera të cilat nevojiten për ta rrumbullakuar me sukses një aktivitet prokurues sipas LPP-së.
LPP-ja e rrit nivelin e transparencës apo parimin e transparencës e bënë më të fuqishëm edhe sa i përket përdorimit të gjuhëve lidhur me një aktivitet prokurues. Sipas LPP-së gjatë zhvillimit të një aktiviteti prokurues me vlerë minimale dhe të mesme duhet të përdoren gjuhët zyrtare të cilat janë në Kosovë, mirëpo nëse aktiviteti prokurues ka vlerë të madhe atëherë publikimi dhe dosja e kontratës duhet të behet përveç në gjuhët zyrtare të vendit tonë edhe në gjuhën angleze. (Shih: Ligji për prokurimin publik në Kosovë nr. 2003/17).
LPP-ja përmes parimit të transparencës po ashtu garanton të gjithë ata të cilët janë palë në prokurim se autoriteti kontraktues duhet ti mbajë të dhënat për një aktivitet prokurimi dhe njëherit ato duhet ti jepen kurdo që pala e interesuar i kërkon, pra me LPP mbahet evidencë nga ana e autoritetit kontraktues për çdo aktivitet prokurimi që e zhvillon ose e kryen autoriteti kontraktues. Po ashtu me LPP është paraparë edhe mundësia e mbajtjes së të dhënave sekrete mirëpo duhet të lajmërohet pala në momentin kur i dërgohet njoftimi atij për ofertë nga ana e autoritetit kontraktues.
Konkurrenca me ligjin për prokurimin publik - nënkupton çdo aktivitet i prokurimit publik duhet të përdoret me procedurë të hapur mirëpo ka përjashtime vetëm në ato raste kur autoriteti kontraktues bënë kërkesë dhe autorizohet nga APP-ja sepse e sheh të arsyeshme dhe nga APP duhet ti miratohet kërkesa.
Me LPP nëse pranohen më pak se tre operator (tenderë) të përgjegjshëm atëherë autoriteti kontraktues e merr të drejtën nga LPP që ta anulojë këtë aktivitet të prokurimit dhe merr vendim për fillimin e një aktiviteti të ri tenderues. Ndërsa në ligjin e prokurimit publik në Shqipëri aktiviteti i prokurimit mund të kryhet nëse janë pranuar së paku dy tender të përgjegjshëm.
LPP-ja ju jep të drejtë autoriteteve kontraktuese që të bëjnë kërkesë për fillimin dhe vazhdimin e aktivitetit të prokurimit tenderues dhe atëherë kur nuk kanë aplikuar më shumë se tre tenderë të përgjegjshëm, mirëpo në kërkesë duhet të bindet APP-ja dhe kjo kërkesë duhet të miratohet.
Mosdiskriminimi sipas LPP-së - nënkupton të gjithë ata ofertues të cilët marrin pjesë në ofertim, duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të mos diskriminohen nga ana e autoritetit kontraktues ose të mos e diskriminojë konkurrencës ose reduktojë në raport me operatorët e tjerë ekonomik dhe se autoriteti kontraktues nuk do ta ekzekutoj asnjë fazë të aktivitetit të prokurimit që e favorizon një ose më shumë operator ekonomik.
Është e ndaluar sipas LPP-së që të krijohen rrethana të cilat favorizohen me diskriminim territorial, fizik, material, personal dhe organizativ ndërmjet operatorëve ekonomik. Në njoftimin e ftesës për tender ceken të gjitha kriteret, kërkesat, specifikat dhe asnjë kriteret tjetër nuk guxon me u aplikua me rastin e përzgjedhjes, por duhet të merren parasysh vetëm ato të cilat janë cekur në ftesë.
Profesionalizmi - Të gjithë ata zyrtarë të prokurimit të cilët punojnë në APP kanë nevojë për aftësim profesional sepse fusha e prokurimit publik në Kosovës është e re. Ky parim është I garantuar me LPP dhe përgjegjës për organizimin e trajnimeve nga fusha e prokurimit publik është Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik. Trajnimi duhet të zgjatë së paku 15 ditë pune brenda 1 viti. Pasi që të mbahet trajnim të gjithë ata zyrtarë të prokurimit duhet të certifikohen për profesionalizëm në prokurim dhe e cila certifikatë është e vlefshme vetëm 1 vit, dhe vetëm ata të cilët kanë certifikatë mund të kryejnë detyrën e kryesuesit te departamentit në një autoritet kontraktues.
Përfundim – Fusha e prokurimit publik në Kosovë është e re, por është një fushë shumë e rëndësishme në menaxhimin dhe shpenzimin e parasë publike, sepse prokurimi publik është dikaster ku bëhet filtrimi i parasë publike dhe të kemi sa më pak keqpërdorime, të kemi të stabiliteti financiar të institucioneve të shtetit dhe ato të jenë më stabile në funksionimin dhe zhvillimin e aktiviteteve profesionale. Në Kosovë Prokurimi publik është në rrugën e duhur edhe pse duhet punuar edhe më shumë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe reformimin e kornizës ligjore të kësaj fushë.
(Autori ka thirrjen shkencore Master i shkencave juridike – financiare)


