Paradoksi i kohës: Shumë vende të lira pune, plot të papunë!
Në Kosovë, një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit ekonomik qëndron në hendekun e thellë midis asaj që ofron sistemi arsimor dhe asaj që kërkon tregu i punës. Ndërsa të rinjtë diplomohen çdo vit me diploma të shkollës së mesme të lartë dhe universitare, një pjesë e madhe e tyre mbeten pa punë, ose punojnë jashtë fushës së tyre të përgatitjes. Kjo mospërputhje, që tashmë është kthyer në krizë strukturore, kërkon reformë të thellë, të guximshme dhe të qëndrueshme, duke ndërtuar ura të forta midis arsimit dhe nevojave të ekonomisë sonë.
Për ta konceptuar në mënyrën e duhur këtë reformë, hapi i parë duhet të jetë identifikimi i nevojave reale për profesione. Zhvillimi i teknologjisë ka shkuar aq larg saqë shumë profesione të reja, të paraqitura si rezultat i këtij zhvillimi, as që janë të parapara në kurrikula. Për këtë është i domosdoshëm realizimi i një studimi të thellë të tregut të punës, i nevojave dhe trendëve globalë të zhvillimeve në këtë fushë. Kjo do duhej të bëhej në mënyrë shumë profesionale, nga njerëz kompetentë dhe në afat sa më të shkurtër.
Në përputhje me rezultatet e studimit, është thelbësore të krijohet një sistem i hershëm i orientimit profesional. Nxënësit duhet të kenë mundësinë të njihen me profesione të ndryshme, të ndjekin praktika të shkurtra dhe të marrin këshillim individual për karrierën si pjesë integrale e procesit arsimor. Po ashtu, lënda “Orientimi në karrierë”, që aktualisht është lëndë zgjedhore, përmes kurrikulës do të duhej të bëhej obligative, së paku në klasën e 9-të. Ky orientim shkollor për karrierën, që do t’i ndihmonte nxënësit në krijimin e një perceptimi të pranueshëm edhe për shkollimin profesional, duhet të vazhdojë të thellohet në shkollën e mesme të lartë, pas së cilës edhe një herë bëhet degëzimi i orientimit të tyre në karrierë.
Aktualisht, arsimi i mesëm profesional është shpesh i paragjykuar dhe i nënfinancuar. Prandaj, duhet të transformohet në një sistem tërheqës dhe i standardizuar ku nxënësit të kenë qasje në laboratorë, punëtori, pajisje bashkëkohore dhe praktikë në ndërmarrje. Kjo kërkon jo vetëm investime publike, por edhe bashkëpunim sistematik me institucionet publike dhe kompanitë private, në mënyrë që nevojat e tyre të reflektohen në kurrikulën shkollore.
Një element tjetër shumë i rëndësishëm i reformës, që i përcjell ato të mëparshmet, është ruajtja e fleksibilitetit të sistemit. Pra, duhet të vazhdojë të mbetet mundësia për nxënësit që fillojnë arsimin profesional, por që tregojnë rezultate të shkëlqyeshme, të vazhdojnë më tej në studime të larta duke ua mundësuar të rriten profesionalisht në përputhje me evoluimin e tyre.
Për ta lehtësuar realizimin e kësaj reforme, Kosova duhet të krijojë incentiva për ndërmarrjet që pranojnë nxënës për praktikë përmes subvencioneve, trajnimeve të përbashkëta dhe lehtësirave fiskale, në mënyrë që t’i motivojnë për të bashkëpunuar me institucionet arsimore.
Nuk ka dyshim që sfida për një reformë të thellë e të suksesshme nuk është vetëm teknike, por edhe kulturore dhe politike. Duhet të ndryshojmë mënyrën si e perceptojmë arsimin profesional. Atë nuk duhet ta shohim si “plan B” apo si strategji daljeje, por si një rrugë e denjë dhe e dobishme drejt suksesit dhe pavarësisë ekonomike. Ndërsa, në aspektin politik, kjo çështje nuk duhet të shihet si sprint, nga i cili do të korrësh rezultate të shpejta si qeveri, por si një maratonë nga e cila do të korrësh rezultate të qëndrueshme si shoqëri.
Ironikisht, edhe adresimi i të gjitha këtyre sfidave nuk garanton zgjidhje të plotë të problemit. Hapja e kufijve të tregut të punës për punëtorë të kualifikuar, si rezultat i nevojave të mëdha në vendet evropiane, na përballë me sfidën tjetër të madhe - dekurajimin e migrimit të potencialit të ngritur profesional. Sigurisht, as kjo sfidë nuk është e papërballueshme, por kërkon qasje dhe angazhim serioz institucional.
Përfundimisht, reformimi i sistemit arsimor, në drejtim të afrimit me nevojat e tregut të punës, është jo vetëm e nevojshme, por urgjente. Megjithatë, suksesi i saj, ndër të tjera, kërkon një vizion afatgjatë dhe konsensus të qëndrueshëm politik, investime të qëndrueshme financiare, bashkëpunim real me sektorin privat dhe ndërgjegjësim kulturor të shoqërisë.
Nëse këto sfida adresohen seriozisht, Kosova mund të ndërtojë një sistem arsimor funksional, dinamik dhe të integruar me ekonominë, që është kyç për zhvillim të qëndrueshëm të vendit tonë. Natyrisht, nëse ky rend i vendosur arrin të jetë dinamik dhe ta përcjellë ritmin e avancimit teknologjik.


