Please enter at least 3 characters.

PAP testi tashmë ofrohet falas në AMF Gurrakoc për gratë e Komunës së Istogut

Gratë dhe vajzat e Komunës së Istogut tashmë kanë mundësinë të kryejnë PAP testin pa pagesë në Ambulancën e Mjekësisë Familjare (AMF) në Gurrakoc, si pjesë e një iniciative për rritjen e vetëdijes dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për gratë.

Ky shërbim ofrohet çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në ora 14:00, dhe synon parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës – një nga format më të zakonshme të kancerit tek gratë, por që mund të parandalohet me kontrolla të rregullta.

Nga AMF Gurrakoc bëhet thirrje për të gjitha të interesuarat që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të kryejnë testin sa më parë, duke theksuar rëndësinë e kontrollit të hershëm për ruajtjen e shëndetit.

“Kujdesi për shëndetin fillon me kontrollin e rregullt. Prandaj, i inkurajojmë të gjitha gratë dhe vajzat që të mos e neglizhojnë këtë hap të rëndësishëm,” thuhet në njoftimin e institucionit.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shëndetësore lokale për të ofruar shërbime preventive dhe për të fuqizuar kujdesin ndaj shëndetit të gruas në komunitet./Telegrafi/