Pamje të frikshme pranë Moskës - re e dendur e zezë mbulon qiellin pas sulmit ukrainas
Një re gjigante me tym të dendur të zi mbuloi qiellin mbi Noginsk, qytet rreth 50 kilometra në lindje të Moskës, pas një zjarri që shpërtheu në një terminal nafte gjatë një vale sulmesh me dronë ukrainas në rajonin e gjerë të Moskës.
Pamjet tërhoqën vëmendjen për shkak të perdes masive të tymit, e cila dukej si një re e errët mbi zonën.
Tymi u krijua nga djegia e sasive të mëdha të produkteve të naftës, proces gjatë të cilit lirohen sasi të mëdha bloze dhe grimcash të imëta që mund të mbulojnë qiellin dhe të pengojnë rrezet e diellit.
Ekspertët shpjegojnë se qëndrueshmëria e atmosferës verore ka ndikuar në mbajtjen e tymit mbi zonë.
Për shkak të inversionit të temperaturës, pra një shtrese ajri më të ngrohtë që mban ajrin më të ftohtë pranë tokës, tymi nuk është shpërndarë shpejt në shtresat e larta të atmosferës, por është përhapur horizontalisht dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë mbi rajon.
Zjarri në Noginsk u shkaktua nga rënia e mbetjeve të një droni të rrëzuar, njoftoi guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov. Në incident u plagosën dy persona, ndërsa si masë paraprake u evakuua edhe një maternitet aty pranë.
Sulmet me dronë goditën edhe zona të tjera në Rusi. Në qytetin Kotovsk, në rajonin Tambov, shtatë punëtorë të një magazine të kompanisë Wildberries humbën jetën, ndërsa të paktën 25 persona u plagosën. /Telegrafi/


