Paga minimale në Kosovë rritet në 500 euro, Kurti: Përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë
Paga minimale në Kosovë është rritur në 500 euro, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetet sociale.
Kurti ka rikujtuar se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se dhjetë vjet.
“Paga minimale në vendin tonë ngeli e pandryshuar për më shumë se 10 vjet. 2011 ishte viti i fundit kur ajo u ndryshua. Që prej atëherë ajo mbeti 130 përkatësisht 170 euro (varësisht se a je nën apo mbi 35 vjeç)”, ka shkruar ai.
Sipas tij, gjatë qeverisjes së tij paga minimale është rritur katër herë.
“Ndërkaq, gjatë qeverisjes sonë u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, mandej në 350 dhe së fundi në 425 euro. E sot paga minimale u bë 500 euro. Prej kësaj rritjeje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se, sipas tij, paga minimale është trefishuar gjatë mandatit të qeverisë së tij.
“Pra, për më shumë se një dekadë para qeverisjes tonë paga minimale ishte e ultë dhe e pandryshueshme. Ndërkaq për më pak se gjysëm dekade me ne, kemi trefishim të pagës minimale.
Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë.
Urime të gjithëve!”, ka përfunduar Kurti./Telegrafi/


