Pacolli: Unë fola me familjen e Adnan Januzajt
19 vjeçari, i cili po shkëlqen në sezonin e tij të parë në Premier Ligën angleze, akoma nuk ka vendosur se për cilën kombëtare do të luajë.
Januzaj me prejardhje nga Istogu, e me pasaporte belge, kërkohet nga Kosova, Shqipëria, Belgjika, Kroacia, Anglia e Turqia.
Njeriu i dytë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është njëri nga njerëzit e paktë të politikes sonë që e ka ftuar talentin shqiptar të luajë për Kosovën.
Pacolli në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se ka pasur kontakte me familjen Januzaj. Sipas tij, Januzaj mburret që është shqiptar. Pacolli është i bindur se do të arrijë që mesfushorin shqiptar ta mishërojë edhe shumë më Kosovën, por edhe më Shqipërinë.
“Ai mburret më atë që është shqiptar dhe më shumë dinjitet e përfaqëson shqiptarizmin me profesionalzimin e tij, por ai nuk donë tani për tani, sepse dëshiron që të faktorizohet edhe më tutje dhe ai ka të drejt në këtë. Por unë jam i bindur se gjërat nuk kanë përfunduar këtu, ne do të arrijmë që këtë ta mishërojmë edhe më shumë me Kosovën edhe me Shqipërinë e edhe mund të ndodh një situatë tjetër...”, ka thënë Pacolli.
Presidenti i AKR-së, ka thënë se ka qenë dhe është i gatshëm t’i kryen të gjithë shpenzimet për të, madje ai thotë se është në gjendje t’i mbulojë të gjitha kërkesat që lojtarit, në mënyrë që ai të jetë në ndeshjen Kosova-Haiti, takim ky që luhet me 5 mars në ‘Adem Jashari’.
“Unë edhe më tepër do të sakrifikojë. Çdo kërkesë që do të ishte në fushën e kërkesave do ta konsideroja punë të kryer. Por sigurisht se do t’ia kishte vlejtur të sakrifikohem për çdo kërkesë. Ai është një realitet, këtë realitet kemi fati që është i yni edhe ashtu siç është jashtë me dorëza të bardha pse të mos të trajtohet edhe këtu. Gabimi ynë që ne bëjmë njerëzit tanë është se nuk i konsiderojmë në momentet e caktuara. Kemi rastin e Bekim Fehmiut, një artist i Hollivudit, një njeri që na ka bërë emër në gjithë botën, dhe këtu po thuaj se e kemi urrejtur. Simpatia dhe vlerësimi bëhet pas momentit që vdes, në jemi shoqëri që vlerësojmë kështu”, ka theksuar Pacolli, i cili nuk e përjashton mundësinë që Januzaj me 5 mars të zbres në ‘Adem Jashari’, edhe pse përfaqësuesit e lojtarit ditë më parë e kanë hedhur poshtë mundësinë që Januzaj të luajë në miqësoren kundër Haitit.
Pacolli ka konfirmuar se do të jetë në miqësoren Kosova-Haiti, ndeshje kjo që vlerësohet historike për përfaqësuesen tonë, pasi që është ndeshja e parë që luhet nën ombrellën e FIFA-së.
Ai do të ndihmojë në zhvillimin e kësaj miqësore, pasi që kombëtarja e Haitit do të akomodohet në ‘Sëis Diamond’, dhe të gjitha shpenzimet do t’i bartë Pacolli.
“Nëse gjithçka shkon në rregull unë do të jem atje dhe unë do të kontribuoj pak edhe në këtë ndeshje. Sëis Diamond do të jetë në shërbim te Haitit. Shpenzimet e të cilit i mbuloi për arsye se është e nevojshme. Ne do ta quajmë këtë lojë historike, por ne duhet të punojmë që të krijojmë kushte që të zhvillojmë edhe ndeshje të tjera të tilla”, ka përfunduar Pacolli. /Telegrafi/


