Pacolli: Nuk do të ketë vendim për rampën në Prevallë pa dialog me banorët
Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar lidhur me shqetësimet e banorëve të Prevallës për vendosjen e laurës në rrugën që çon në këtë zonë turistike.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se ka përcjellë shqetësimet e ngritura dhe ka theksuar se asnjë vendim nuk do të merret pa konsultim me banorët dhe palët e interesit.
“Dua t’ju siguroj se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit. Çështja e vendosjes së rampës dhe mënyra e menaxhimit të qarkullimit do të diskutohet bashkë me ju, me qëllim që të gjejmë zgjidhjen më të mirë”, ka shkruar ajo.
Ajo u ka bërë thirrje banorëve që të mos protestojnë, duke theksuar se çështja do të trajtohet në takim me ta gjatë javës së ardhshme.
Pacolli ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit, ndërsa ka premtuar se pas kthimit do të zhvillojë takim me banorët për të dëgjuar shqetësimet dhe propozimet e tyre. /Telegrafi/


