Please enter at least 3 characters.

Osmani takoi kryetarin e TİKA-s, bashkëpunimi Kosovë-Turqi në fokus

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore.

Sipas njoftimit për media, gjatë takimit Osmani shprehu mirënjohje për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e vendit gjatë më shumë se dy dekadave, duke përmendur projektet në infrastrukturën kulturore, arsimin dhe shëndetësinë.

Ajo falënderoi posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë.

Osmani e vlerësoi Turqinë si mikë dhe partnere strategjike të Kosovës, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy popujve, të bazuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.

“Presidentja gjithashtu përgëzoi z. Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TİKA-s dhe shprehu dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim u diskutua edhe për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të ofruar nga TİKA pas luftës, përfshirë restaurimin e objekteve historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të Kosovës.

Osmani nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave për fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror dhe grupet e margjinalizuara. /Telegrafi/