Operacioni “Rastet”, zbulohen ambiente për lojëra fati dhe drogë në Milot e Laç - 3 të arrestuar
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Rastet”, duke goditur disa raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në zonat e Milotit dhe Laçit.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ndërsa gjatë aksionit u zbuluan tre ambiente të përshtatura për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri.
Në njërin prej tyre u konstatua edhe përdorimi dhe shitja e lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, para të gatshme si dhe pajisje të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar tre persona, është proceduar penalisht një tjetër dhe një person është shpallur në kërkim.
Policia bëri të ditur se në një lokal në Laç, në pronësi të një 61-vjeçari të proceduar, i cili dyshohet se bashkadministrohej nga dy persona të arrestuar, janë gjetur 8 makineta, 2 tavolina pokeri dhe doza të dyshuara kokaine.
Ndërkohë, në Milot është arrestuar një 45-vjeçar, pasi në lokalin e tij u zbuluan pajisje për lojëra fati, ndërsa një 31-vjeçar është shpallur në kërkim pasi në ambientin e tij janë gjetur makineta dhe pajisje të tjera të paligjshme.
Policia njofton se kontrollet për goditjen e kësaj veprimtarie do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për procedurat e mëtejshme. /Telegrafi/


