Please enter at least 3 characters.

Nxënësit marrin "rolin" e diplomatëve në konferencën Model United Nations në ASK

Në një ditë të zakonshme në American School of Kosova (ASK), rreth 60 nxënës po mbajnë fjalimet e tyre dhe po hyjnë në rolet e diplomatëve ndërkombëtarë, duke diskutuar çështje globale në kuadër të konferencës tre-ditore Model United Nations (MUN).

Ky aktivitet synon të fuqizojë gjeneratën e re dhe të sjellë një standard ndërkombëtar në Kosovë.



Organizatorja e konferencës, Drita Syla, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti.

“Është e vërtetë, është hera e parë që shkolla jonë e organizon një konferencë të tillë të kësaj rëndësie. Si klub, Model UN ka ekzistuar në shkollë tash e disa vite dhe kemi marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare në Paris, Çeki, Gjermani dhe vende të tjera të Evropës. Menduam që tashmë jemi gati ta organizojmë edhe në Kosovë dhe të ofrojmë diçka të re për nxënësit”.

Syla shtoi se qëllimi i klubit është zhvillimi i aftësive diplomatike dhe të komunikimit.

“Nxënësit punojnë në grupe të ndryshme, si Këshilli për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke trajtuar raste aktuale si luftërat, krizat dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Secili nxënës përfaqëson një shtet dhe përpiqet të lobojë për qëndrimet e tij përmes negociatave dhe dialogut”.

Riga Qerkini, një nga drejtueset e konferencës, tha se puna e delegatëve po realizohet me sukses.

“Me gjithë përgatitjen dhe pjesëmarrjen e delegatëve nga shkolla të ndryshme, shohim se debati po zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe shpresojmë që në fund të dalë më e mira”.

Edhe Lonita Mjeku vuri në dukje rëndësinë sociale dhe diplomatike të aktivitetit.

“Presim që nxënësit të bashkëpunojnë, të komunikojnë dhe të mësojnë të flasin në ngjarje sociale. Kjo është një eksperiencë e re për ata që jetojnë në Kosovë. Për më tepër, duke qenë se Kosova nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara, kjo është një mundësi e shkëlqyer për të fituar përvojë diplomatike”. /Telegrafi/