Please enter at least 3 characters.

Numërimi i votave me kusht në përfundim, në proces numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është drejt përfundimit numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, proces i cili filloi një ditë më parë.

Rezultatet nga ky numërim janë duke u paraqitur në platformën për rezultate në rubrikën “Rezultatet QNR – Votimi me kusht”.

KQZ shton se në ditën e zgjedhjeve votimi me kusht është realizuar në 54 vendvotime të veçanta, në 38 komuna.

“Pas përmbylljes së këtij procesi, gjatë ditës së mërkurë, në këtë qendër do të vijojë numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit të personave me nevoja të veçanta, i cili është zhvilluar në ditën e zgjedhjeve jashtë vendvotimeve dhe përmes ekipeve mobile. Numri i votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta është më shumë se 3,467”, ka njoftuar KQZ.

Rezultatet nga ky numërim do të pasqyrohen në platformën për rezultate, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”.

Gjithashtu, në QNR, të martën është përmbyllur procesi i skanimit të Listës së Votuesve.

“Skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet eventuale kur një person ka votuar dy here: në vendvotimin e rregullt dhe në atë me kusht”, njofton KQZ. /Telegrafi/